GJENEVË

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se në provincën e Idlibit në veriperëndim të Sirisë ekziston shqetësim i madh për gjendjen shëndetësore të civilëve, ndërsa në ditët e fundit në rajon janë shpërngulur 130 mijë civilë për shkak të sulmeve në rritje.

“OBSH është thellësisht e shqetësuar për përkeqësimin e kushteve shëndetësore në veriperëndim të Sirisë”, tha OBSH në një deklaratë, duke shtuar se krahas sulmeve, ndikimi negativ i kushteve të vështira të motit po ashtu po vështirëson gjendjen humanitare.

Në deklaratë thuhet se nga 12 milionë njerëz që kanë nevojë për shërbime shëndetësore në gjithë Sirinë, 2,7 milion jetojnë në veriperëndim të vendit dhe 500 mijë në jug të Idlibit.

OBSH tha se është informuar se në Idlib, 14 qendra themelore shëndetësore dhe dy spitale janë mbyllur për shkak të kushteve të sigurisë, ndërkohë që 42 institucione shëndetësore aktive kërcënohen të pezullojnë shërbimet në rast të vazhdimit të sulmeve në rajon.

“Tensionet ushtarake të rritura së fundmi në rajon kanë çuar në viktima civile, lëndime dhe përkeqësimin e vuajtjeve njerëzore. 130 mijë njerëz janë shpërngulur, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. Disa civilë janë shpërngulur tri herë gjatë luftës nëntëvjeçare në Siri”, ka thënë Richard Brennan, drejtor i Situatave Shëndetësore Urgjente në Rajonin e Mesdheut Lindor pranë OBSH-së.

Megjithatë, Brennan nuk specifikoi se nga cila datë janë shpërngulur 130 mijë civilët në fjalë.

Ndryshe, sipas burimeve në terren, numri i civilëve që kanë migruar pranë linjës kufitare turke nga rajoni sirian i Idlibit që nga fillimi i nëntorit është rritur në 217 mijë si pasojë e sulmeve të regjimit të Bashar al-Assadit dhe Rusisë, pasi së fundmi edhe dy mijë civilë janë zhvendosur në këtë zonë si rezultat i agresionit.

Popullata në pjesën jugore të provincës së Idlibit filloi të zhvendoset drejt linjës kufitare me Turqinë që kur regjimi sirian dhe mbështetësit e tij i filluan sulmet në nëntor dhe nisën një operacion më 20 dhjetor.

Forcat e regjimit me ndihmën e mbështetësve vazhdojnë sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes e cila u nënshkrua mes Turqisë dhe Rusisë më 17 shtator 2018 në qytetin rus Soçi. Që nga ajo datë, në sulmet e regjimit dhe Rusisë kanë humbur jetën mbi 1.300 civilë.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb