Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka kërkuar hulumtime të mëtejshme mbi ndikimet shëndetësore të mikroplastikës pas publikimit të gjetjeve të fundit mbi mikroplastikat në ujin e pijshëm. Në një deklaratë me shkrim, ekspertja e OBSH-së Maria Neira tha se “urgjentisht duhet të dimë më shumë rreth ndikimit shëndetësor të mikroplastikës sepse ato janë kudo, përfshirë në ujin e pijshëm”.

Ajo theksoi se bazuar në njohuritë e kufizuara që aktualisht posedojnë, ndotja mikroplastike në ujin e pijshëm aktualisht nuk paraqet rrezik për shëndetin, por nevojiten më shumë hulumtime dhe gjetje. Neira tha se njerëzit duhet të parandalojnë rritjen e ndotjes së plastikës në të gjithë botën.

“OBSH rekomandon që furnizuesit dhe rregullatorët e ujit të pijshëm të kenë prioritet heqjen e patogjenëve mikrobikë dhe kimikateve, që janë rreziqe të njohura për shëndetin e njeriut, siç janë ato që shkaktojnë sëmundje vdekjeprurëse të diarresë”, tha Neira.

Një studim mbi rrezikun e mikroplastikës u zbulua dhe u botua në revistën “Science Advances” nga një ekip studiuesish që gjetën 10 mijë grimca plastike për litër në Arktik që dalin nga dëbora.

Organizatat joqeveritare dhe ato ndërkombëtare, të tilla si Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), e konsiderojnë ndotjen plastike një nga problemet mjedisore në rritje, shkruan Anadolu Agency. Për të rritur ndërgjegjësimin, OKB-ja vitin e kaluar për Ditën Botërore të Mjedisit caktoi sloganin “Munde ndotjen plastike”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: