Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në Nigeri ka bërë të ditur se mbështet qeverinë e Afrikës Perëndimore për të monitoruar pabarazitë shëndetësore dhe për të garantuar që deri në vitin 2030 të arrihet Mbulimi Universal i Shëndetit (UHC).

UHC do të thotë që të gjithë individët dhe komunitetet të marrin shërbimet shëndetësore pa kaluar vështirësi financiare.

Në një deklaratë me shkrim, përfaqësuesi i OBSH-së për Nigerinë, Walter Kazadi Mulombo, tha se për të përmirësuar këtë situatë duhet të veprohet sipas përcaktuesve social dhe ekonomik të shëndetit, duke punuar nëpër sektorë për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe të punës, si dhe qasjen në arsim veçanërisht për grupet e margjinalizuara.

“Komunitetet duhet të angazhohen si partnerë, përmes rrjeteve dhe shoqatave të tyre, për të formuar dhe drejtuar ndërhyrjet e shëndetit dhe zhvillimit”, tha Mulombo.

Siç njofton OBSH-ja, UHC përfshin spektrin e plotë të shërbimeve cilësore thelbësore shëndetësore, nga promovimi i shëndetit te parandalimi, trajtimi, rehabilitimi dhe kujdesi paliativ gjatë gjithë jetës.

Pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) ndërpreu shumë shërbime shëndetësore në të gjithë botën, përfshirë edhe në Nigeri, ku shumë njerëz ndërruan rutinat mjekësore.

Në deklaratë thuhet se një raport i OBSH-së tregon se mbi 73 për qind e popullsisë bëjnë pagesat për shërbimet shëndetësore nga xhepi dhe se vetëm 6.8 milionë nga një popullsi prej mbi 200 milionë kanë qasje në shërbimet e kujdesit shëndetësor që nuk është as 10 për qind e popullsisë së plotë.

Sipas OBSH-së, diskutimet për të rishqyrtuar Ligjin Kombëtar të Sigurimeve Shëndetësore për ta bërë atë të detyrueshëm për regjistrimin e të gjitha personave është një kontribut kritik në adresimin e këtij hendeku.

“OBSH-ja në Nigeri mbështet qeverinë për të forcuar kapacitetet për përdorimin e të dhënave të ndara, bazuar në stratifikimin socio-ekonomik të popullsisë”, tha OBSH-ja, duke shtuar se organizata “po siguron mbështetje teknike për politikat dhe strategjitë që do të garantojnë më shumë njerëz të kenë qasje financiare në shërbime shëndetësore cilësore”.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb