Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se sistemi shëndetësor i Ukrainës “po përballet me ditët e tij më të errëta në luftë deri më tani” dhe bëri thirrje për një “korridor shëndetësor humanitar” për të lejuar dërgimin e furnizimeve thelbësore në të gjitha zonat e Ukrainës.

OBSH ka dokumentuar 703 sulme në infrastrukturën shëndetësore që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, tha drejtori rajonal i organizatës për Evropën, Dr Hans Henri P Kluge.

Në një fjalim në Kiev, Kluge i përshkroi sulme të tilla si “shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe rregullave të luftës”.

Sulmet ndaj infrastrukturës shëndetësore dhe energjetike kanë lënë qindra spitale dhe objekte të kujdesit shëndetësor “jo më plotësisht funksionalë, me mungesë karburanti, ujë dhe energji elektrike për të përmbushur nevojat bazë”, tha ai.

Kluge tha se ky dimër do të jetë kërcënues për jetën për miliona njerëz në Ukrainë, ndërsa shtoi se kriza shkatërruese e energjisë, thellimi i emergjencës së shëndetit mendor, kufizimet në aksesin humanitar dhe rreziku i infeksioneve virale do ta bëjnë këtë dimër një provë të frikshme për sistemin shëndetësor ukrainas dhe popullin ukrainas, por edhe për botën dhe angazhimin e saj për të mbështetur Ukrainën.

OBSH dhe partnerët e saj do të jenë “gati të mobilizohen në një moment” për të krijuar rrugë për të lejuar dërgimin e furnizimeve thelbësore në zonat që janë të vështira për t’u arritur.

Ai shprehu shqetësim të veçantë për 17,000 pacientë në Donetsk, të cilët ai tha se së shpejti mund të përballen me harxhimin e ilaçeve kritike antiretrovirale që i mbajnë ata gjallë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: