Një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se 10 milionë njerëz, ose rreth një e katërta e popullsisë së Ukrainës, mund të vuajnë nga një çrregullim i shëndetit mendor në lidhje me konfliktin atje.

“OBSH vlerëson se deri në 10 milionë njerëz janë në rrezik nga një formë e një çrregullimi mendor, që varion nga ankthi dhe stresi në kushte më të rënda,” tha Jarno Habicht , përfaqësuesi i OBSH-së në Ukrainë në një konferencë për shtyp në Gjenevë përmes lidhjes video.

Kushtet më të rënda përfshijnë çrregullimin e stresit post-traumatik (PTSD) të shkaktuar nga ngjarje shqetësuese. Rastet po rriten pas 10 muajsh konflikti, duke bërë që një agjenci e veçantë e OKB-së të nisë shërbimet e mbështetjes online.

Sistemi i kujdesit shëndetësor i Ukrainës ka qenë nën presion që kur Rusia nisi luftën në shkurt. Deri më tani, ka pasur të paktën 700 sulme në sistemin e saj të kujdesit shëndetësor, tregojnë të dhënat e OBSH-së, dhe rritja e sulmeve të Rusisë në infrastrukturën kritike që nga tetori i ka shtuar sfidat duke shkaktuar ndërprerje.

Moska mohon të ketë shënjestruar civilët në atë që e quan një operacion special ushtarak në Ukrainë.

Habicht tha se sëmundjet e frymëmarrjes do të rriteshin me motin e ftohtë dhe ngrohjen e pamjaftueshme, si dhe aksidentet automobilistike të shkaktuara nga rrugët e pandriçuara për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike.

“Sistemi shëndetësor është duke funksionuar. Por pasi janë 10 muaj është një stres i madh,” tha ai. “Ne po shohim vazhdimisht sfida të reja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb