Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk përjashton se transmetimi i koronavirusit mund të ndodh dhe përmes ajrit. Udhëheqëse teknike për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, Benedetta Allegranzi theksoi se transmetimi përmes ajrit nuk mund të përjashtohet në ambiente të mbushura me njerëz. Nëse provat konfirmohen, ato mund t’i ndikojnë udhëzimet për hapësirat e brendshme.

Një letër e hapur e më shumë se 200 shkencëtarëve ka akuzuar ditë më parë OBSH-në për nënvlerësimin e mundësisë së transmetimit të koronavirusit përmes ajrit.

“Kemi dashur që OBSH-ja t’i pranojë provat”, i tha agjencisë së lajmeve Reuters Jose Jimenez, një kimist në Universitetin e Kolorados, që nënshkroi letrën. “Ky nuk është sulm kundër OBSH-së. Është një debat shkencor, por e kemi ndjerë se kemi nevojë të dalim në publik, sepse ata nuk pranuan t’i dëgjojnë provat edhe pas shumë bisedave me ta”, tha Jimenez. OBSH-ja, deri më tash, ka thënë se virusi transmetohet nga spërkatjet kur njerëzit kolliten ose teshtijnë. Koronavirusi, që shkakton sëmundjen COVID-19, ka prekur mbi 11 milionë njerëz në gjithë botën.

Prej tyre, mbi 544,000 kanë vdekur, ndërsa mbi 6.4 milionë janë shëruar.
(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb