Odise Roshi është zyrtarisht futbollist i Bolusporit në Ligën e Parë turke. “Raketa” kuqezi ka firmosur kontratë 1 vjeçare, me të drejtë rinovimi edhe për një vit tjetër.

Futbollisti fierak do të përfitojë në total 250 mijë euro në vit nga ky transferim. Roshi i bashkohet kështu Gentjan Selmanit dhe Dejvi Bregut, duke formuar kështu treshen shqiptare te Boluspor.

Në karrierën e tij, Roshi së fundmi ishte i huazuar te Diosgiori në Hungari dhe në momentin e përfundimit të kësaj kontrate, u rikthye tek Akhmat Grozni vetëm për të tërhequr dokumentacionin.

Me skuadrën çeçene Roshi qëndroi pesë sezone, tri të plota dhe dy vite nga një gjysmë sezoni, duke numëruar 95 ndeshje dhe 11 gola në Superligën ruse.

Më herët Roshi ka qenë pjesë e Rijekës në Kroaci për dy sezone dhe më parë, 3 vite te Frankfurt në Gjermani i transferuar nga Këlni, ku zhvilloi dy sezonet e para jashtë Shqipërisë.

Turqia do të jetë një pikë rinisjeje për mesfushorin e Kombëtares, i cili me fanellën kuqezi ka zhvilluar 61 ndeshje dhe ka shënuar pesë gola. Mesfushori ka qenë një ndër lojtarët më rezultativë për Kombëtaren, ku së bashku me Sokol Cikalleshin kanë udhëhequr shpesh kuqezinjtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb