Sezonin që përfundoi Milani arriti të shpallej kampion i Italisë në javën e fundit ndaj Sasuolos, ku arritën të triumfonin 0-3 në stadiumin “MAPEI” dhe për të ngritur në qiell trofeun e 19-të të Serisë A në historinë e tyre.

Gjatë festimeve të titullit kampion të kuqezinjve u vu re dhe sjellja e pahijshme e futbollistëve ku ditën e sotme janë gjobitur nga Gjykatësi Sportiv për shkak se disa lojtarë kanë fyer skuadrën e Interit.

Ata që e pësuan janë katër lojtarë, Rade Kruniç, Teo Hernandez, Majk Menjo edhe Sandro Tonali. Boshnjaku Kruniç u gjobit me shifrën 5000 euro, ndërkohë tre të tjerët, Teo Hernandez, Menjo dhe Tonali me shifrën 4000 euro.

Edhe Milani nuk i ka shpëtuar dënimit nga Gjykatësi Sportiv, ku klubi kuqezi u gjobit me 12.000 euro. Vlen të theksohet se “Djalli” u shpall kampion i Italisë pas 11 vitesh mungesë, në sezonin 2010/2011 me Masimiliano Alegrin në pankinën kuqezi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: