Ish-ambasadori Arben Çejku ka komentuar takimin e mbajtur pak ditë më parë mes presidentit Serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të folur mbi marrëveshjet mes dy vendeve.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 Çejku tha se takimi në fjalë arriti vetëm që palët të fitonin më shumë kohë për këto çështjes që ndajnë dy shtetet.

Mes të tjerash ai tha se ishte provokim fakti që takimi për arritjen e marrëveshjes të mbahej në Ohër, pasi ky qytet njihet për të vetmen marrëveshje të mbajtur vite më parë.

“Jam përpjekur të kuptoj se çfarë prodhoi takimi i Ohrit. Mu duk provokative që takimi të bëhej në Ohër, pasi për shqiptarët me rëndësi është se ka vetëm një marrëveshje të Ohrit, që u nënshkrua nga disa aktorë, përfshi SHBA dhe BE. Duhet të ishte zgjedhur një qytet tjetër. Fakti që kjo paketë, se s’mund ta them se është marrëveshje, që u nda në dy pjesë, një në 27 shkurt dhe tjetra në 18 mars, s’ka konkluduar në një dokument të qartë. Kjo tregon se nuk kemi bërë ende hapin e mjaftueshëm para për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. BE dhe SHBA bënë hapa të mjaftueshëm, por kjo është status- quo më pozitive, që nuk është më në frigorifer, por e kemi vënë në tavolinë. Preferoj më shumë gjuhën amerikane të marrëveshjeve, se atë europiane, pasi është e mbingarkuar me togfjalësha, me nën pjesë e ngjyrime dhe e çorientojnë thelbin e problemit. Ajo çfarë kanë sjellë evropianët është kakofoni pajtimesh që nuk rezulton me diçka konkrete. Amerikanët nuk shkruajnë shumë fjalë, por kanë afate.

Aty thuhet se BE do bëjë ndërprerje të negociatave për Serbinë. Por sa vite ka Serbia që ka hyrë drejt kësaj rruge? Nga ana tjetër Kosova nuk mori njohje. Atëherë do thonim se këto vende do të tërheqin mundësinë e njohjes. Kemi një zhvendosje në krah pozitiv të kësaj marrëveshje, edhe pse s’kemi firmosje. Albin Kurti e ka pranuar asosacionit, pra ka folur për të. Ai ka në tryezë 16 variante dhe do përpiqet që të fitojë kohë për këtë gjë. Deri sa të vazhdojë faza deri sa të hyjë në zgjedhje. S’ka ndodhur ndonjë ngjarje shumë e madhe. Palët fituan nga pak kohë.”, tha Çejku.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb