TIRANË- Jetesa luksoze dhe shpenzimet e mëdha financiare kanë qenë sinjali i parë për Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në nisjen e hetimit ndaj oficerit Hamëz Demushi, i cili u kap me 3.6 kilogramë lëndë të dyshuar si kokainë tri ditë më parë, shkruan Gazeta Panorama.
Burimet nga Policia e Tiranës kanë thënë se oficeri 29-­vjeçar kishte rënë në sy prej kohësh për përdorimin e makinave luksoze dhe shpenzimet e luksit që kryente të cilat nuk justifikoheshin me pagën që ai merrte. Oficeri i justifikonte këto shpenzime me aktivitetin privat në shitblerje apartamentesh, por hetuesit e kanë parë me dyshim këtë fakt. Për këtë arsye, rreth shtatë muaj më parë, ndaj oficerit të Policisë është hapur një hetim që ka vazhduar në kohë.
Gjatë hetimit, SHÇBA ka mbajtur nën monitorim aktivitetin e policit 29­vjeçar që për disa kohë ka qenë pjesë e Forcës së Posaçme dhe së fundi punonte në Patrullën e Përgjithshme të Komisariatit nr.3. Gjatë ndjekjes operative që i është bërë aktivitetit të efektivit të Policisë mësohet se janë evidentuar kontakte e veprime të dyshimta të tij.

Ndjekja e lëvizjeve të efektivit të Policisë u ka siguruar hetuesve të dhëna të plota dhe në kohë reale për të organizuar më pas arrestimin e policit ditën e premte në Tiranë. Ditët e fundit, agjentët kishin mësuar se ai kishte marrë një “pako” të dyshimtë të cilën po e mbante në banesë. Pikërisht, bazuar në këto informacione, të premten agjentët e SHCBA ndërhynë në banesën e oficerit ku gjetën 3.6 kilogramë pluhur, i dyshuar si kokainë dhe 0.5 kilogramë lëndë të dyshuar si heroinë. Në banesën e policit u gjetën edhe pajisje të përpunimit, paketimit e peshimit të lëndës narkotike.
TRAFIKU ME KOSOVËN
Referuar hetimeve të kryera ka rezultuar se në 6 muajt e fundit, oficeri i Policisë Hamëz Demushi ka pasur aktivitet të dyshimtë kriminal. Sasia e drogës që u gjet në banesën e tij mendohet se ka qenë e destinuar për shpërndarje në Tiranë. Ndërkaq, sipas hetimeve, efektivi i Policisë dyshohet se ka transportuar në drejtim të Kosovës disa herë lëndë narkotike gjatë viteve të fundit.
Më 27 qershor 2012, në orën 20:47, polici i arrestuar ka kaluar kufirin në Kukës drejt Kosovës. Po kështu, më 10 dhjetor 2012, po nga Kukësi polici ka hyrë në Kosovë në datën 18.06.2012 Një lëvizje që po hetohet është ajo e datës 29 nëntor, kur polici ka shkuar në Itali pasi është nisur nga porti i Durrësit në ora 21:49. Sipas hetimit, më 31 dhjetor 2014 në orën 17:34, sipas Policisë oficeri ka kaluar kufirin në drejtim të Kosovës nga pika e Morinës në Kukës.
Lëvizja e fundit drejt Kosovës ka qenë më e dyshimta për efektivin e Policisë. Hetuesit kanë mësuar se pasi ka kaluar kufirin drejt Kosovës natën e Vitit të Ri, oficeri është rikthyer në Shqipëri pa u regjistruar në sistemin TIMS. Ky element ka shërbyer për hetuesit për mbajtjen në vëzhgim të efektivit të Policisë, duke dyshuar se veprimet e tij mund të ishin kriminale. Pas vendimit për të mbikëqyrur lëvizjet e oficerit 29¬vjeçar, mesditën e së premtes, Policia ka ndërhyrë në banesën e tij duke bllokuar drogën dhe pajisjet e përpunimit të saj.
PROKURORIA KËRKON BURG PËR POLICIN
Ditën e sotme, në Gjykatën e Tiranës pritet të zhvillohet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj oficerit të Policisë së kryeqytetit i cili akuzohet për mbajtje dhe trafikim droge. Prokuroria e Tiranës, që kreu hetime në bashkëpunim me Policinë prej disa muajsh, ka kërkuar në Gjykatë caktimin e masës arrest me burg për oficerin e Policisë. Ndërsa hetimet për persona të tjerë të përfshirë në trafik po vazhdojnë. (foto, droga dhe materialet e sekuestruara në banesën e policit)

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb