Oficeri më i lartë ushtarak amerikan e quajti luftën 20-vjeçare në Afganistan një “dështim strategjik”. Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, gjenerali Mark Milley, gjithashtu dëshmoi në Kongres se ai kishte rekomanduar mbajtjen e disa mijëra trupave në vend për të parandaluar një kolaps të qeverisë së Kabulit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe marrjen e shpejtë të kontrollit nga talebanët.

Republikanët në Komisionin e Senatit për Shërbimet e Armatosura vunë në dukje se pohimi i gjeneralit Milley të marten shërbente si dëshmi se Presidenti Joe Biden nuk kishte qenë i sinqertë muajin e kaluar kur sugjeroi se ushtria nuk e kishte nxitur atë të mbante trupa në Afganistan. Milley refuzoi të thoshte se çfarë këshille i dha Presidentit Biden. Gjenerali Milley i tha komisionit, kur u pyet përsëri, se kishte qenë mendimi i tij personal se të paktën 2,500 trupa amerikanë duheshin për të shmangur një kolaps të qeverisë së Kabulit dhe një kthimi të sundimit të talebanëve.

Ndryshe nga vlerësimet e inteligjencës amerikane, qeveria afgane dhe ushtria e saj e stërvitur nga SHBA u rrëzuan në mes të gushtit, duke lejuar talebanët, të cilët kishin sunduar vendin nga 1996 deri në 2001, të merrnin Kabulin në atë që gjenerali Milley e përshkroi si operacioni i disa qindra talebanëve me motoçikleta, pa shkrepur asnjë armë. Kjo shkaktoi një përpjekje të furishme të Shteteve të Bashkuara për të evakuuar civilët amerikanë, aleatët afganë dhe të tjerë nga aeroporti i Kabulit.

Gjenerali Frank McKenzie, i cili si shef i Komandës Qendrore po mbikëqyrte trupat amerikane në Afganistan, tha se ndante të njëjtën pikëpamje me gjeneralin Milley se mbajtja e një force amerikane atje mund të kishte mbajtur të paprekur qeverinë e Kabulit.

Seanca gjashtë-orëshe e Senatit shënoi fillimin e asaj që ka të ngjarë të jetë një rishikim i thellë i Kongresit mbi dështimet e Shteteve të Bashkuara në Afganistan. Kohëzgjatësia dhe thellësia e seancës ishte në kontrast me mbikëqyrjen e kufizuar të Kongresit në vite mbi luftën dhe qindra miliarda dollarë të taksapaguesve që u harxhuan.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe gjenerali Milley janë planifikuar të dalin të mërkurën para Komisionit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve për të shqyrtuar luftën.

Gjenerali Milley mbron vendimin për t’u telefonuar autoriteteve kineze

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm amerikan Mark Milley, tha të martën në Kongres se ai e dinte që ish-Presidenti Donald Trump nuk po planifikonte një sulm kundër Kinës dhe se ishte detyrë e tij të siguronte autoritetet kineze për këtë fakt, duke iu referuar telefonatave me homologun e tij kinez, të cilat kanë shkaktuar kritika nga disa ligjvënës.

Gjenerali Mark Milley, mbrojti me forcë vendimin e tij për t’i telefonuar homologut kinez, duke thënë se ai po i përgjigjej “informacioneve të zbulimit” se Kina ishte e shqetësuar për një sulm amerikan.

“Unë e di, jam i sigurt, se Presidenti Trump nuk kishte ndërmend të sulmonte Kinën. Dhe ishte në përgjegjësinë time t’ua përcillja këtë gjë autoriteteve kinezë”, tha gjenerali Milley të martën në Komisionin për Shërbimet e Armatosura të Senatit amerikan. “Detyra ime në atë kohë ishte ulja tensionet. Mesazhi im ishte i pandryshueshëm: Qëndroni të qetë dhe larg përshkallëzimit. Ne nuk do t’u sulmojmë”.

Gjenerali Milley ka qenë në qendër të kritikave pas njoftimeve se ai I kishte zhvilluar dy telefonata me gjeneralin e ushtrisë kineze Li Zuocheng për ta siguruar atë se Shtetet e Bashkuara nuk do të nisnin papritur një luftë me Kinën. Media ka njoftuar detaje të telefonatave shkëputur nga libri i botuar së fundmi “Peril”, të gazetarëve të Washington Post-it Bob Woodward dhe Robert Costa.

Disa ligjvënës thonë se zoti Milley i ka tejkaluar kompetencat dhe i kanë bërë thirrje Presidentit Joe Biden ta shkarkojë nga detyra. Ish-Presidenti Trump e ka quajtur gjeneralin Milley tradhtar dhe ka shtuar tha se ai “nuk e kishte informuar asnjëherë mbi telefonatat që kishte bërë me autoritetet kineze”.

Këto janë komentet më të detajuara deri më sot që gjenerali Milley ka bërë rreth kësaj çështjeje. Ai tha se telefonatat e zhvilluara më 30 tetor dhe 8 janar ishin plotësisht të koordinuara me sekretarët e mbrojtjes që ishin në detyre në atë kohë, si dhe agjencitë amerikane të sigurisë kombëtare. Dhe ai tha se komunikime të tilla mes ushtarakëve janë kritike për të parandaluar luftën mes fuqive të mëdha që zotërojnë armë bërthamore.

Telefonatat u kryen gjatë muajve të fundit e të trazuar të administratës Trump ndërsa ish-presidenti vazhdonte të sfidonte rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Telefonata e dytë me autoritetet kineze u krye dy ditë pas 6 janarit, ditë kur një turmë njerëzish hyri me dhunë në Kapitol në një përpjekje për të penguar ligjvënësit që të certifikonin rezultatin e zgjedhjeve që shpallte fitues demokratin Joe Biden.

Gjenerali Milley tha se telefonata e tetorit u bë nën udhëzimin e sekretarit të atëhershëm të Mbrojtjes Mark Esper dhe e dyta u bë me kërkesë të kinezëve dhe u koordinua me zyrën e sekretarit të Mbrojtjes në detyrë Chris Miller.

Zoti Milley foli gjithashtu dhe rreth një telefonate me kryetaren e Dhomës Nancy Pelosi. Ai tha se zonja Pelosi “e kishte telefonuar për ta pyetur rreth mundësive që ka presidenti për të kryer një sulm bërthamor. Unë u përpoqa ta siguroj atë se një sulm i tillë drejtohet nga një proces shumë specifik dhe i kujdesshëm”.

Ai tha se e kishte siguruar zonjës Pelosi se ndërsa presidenti është autoriteti i vetëm për një sulm bërthamor “ai nuk e kryen atë vetëm”. Ai shtoi se në cilësinë e Shefit të Shefave të Shtabit Bashkuar është pjesë e procesit të vendimmarrjes për lëshimin e një arme bërthamore.

“Ka procese, protokolle e procedura dhe unë vazhdimisht e sigurova atë se nuk ka asnjë mundësi për një sulm të paligjshëm, të paautorizuar ose aksidental”, tha gjenerali Milley.

Në libër thuhet se gjatë telefonatës, gjeneral Milley ishte pajtuar me një pohim të zonjës Pelosi se zoti Trump po përjetonte një degradim mendor pas zgjedhjeve. Gjatë seancës dëgjimore të së martës në Senat gjenerali Milley e hodhi poshtë një gjë të tillë duke thënë se ai “nuk ishte i kualifikuar për të përcaktuar gjendjen mendore të presidentit të Shteteve të Bashkuara”.

Gjenerali Milley tha se pasi kishte përfunduar telefonatën me zonjën Pelosi, ai kishte zhvilluar një takim të shkurtër me stafin për të shqyrtuar procesin. Ai tha gjithashtu se në atë kohë kishte informuar zotin Miller rreth kësaj telefonate.

“Asnjëherë nuk jam përpjekur të ndryshoj ose të ndikoj në proces, të uzurpoj kompetenca apo të futem në zinxhirin e komandës, por nga unë pritet e kërkohet që të jap këshilla e të siguroj që presidenti të jetë plotësisht i informuar”, tha gjenerali Milley.

I pyetur nga senatorët zoti Milley tha se kishte biseduar me një nga autorët e librit, pikërisht me zotin Woodward. I pyetur nëse mendonte se ishte “pasqyruar me vërtetësi” në libër, zoti Milley tha se ai nuk e kishte lexuar, por kishte parë njoftimet në shtyp rreth tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb