Operacioni Forca e Ligjit iu ka dërguar formularët për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë katër të dënuarve në Tiranë.

“BalkanWeb” mëson se OFL iu është drejtuar shtetasve të dënuar Altin Çela, Genci Xhixha, Ergest Zhupani dhe Sulejman Sina, të cilët duhet të përgjigjen brenda 48 orëve.

Njëri prej tyre, Genci Xhixha, është i njohur për kokainën në laboratorin e “Xibrakut”, ndërsa sipas OFL, ai është dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve ” e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Njoftimi i OFL:

Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

A. Ç., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”;

G. Xh., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve ” e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;

E. Zh., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”;

S. S., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: