Kombet e Bashkuara (OKB) reaguan ndaj arrestimit të personave që kanë protestuar kundër shpalljes së mobilizimit nga qeveria në Rusi, mobilizim i shpallur për të ofruar ndihmë ushtarake në luftën kundër Ukrainës.

Zëdhënësja e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Ravina Shamdasani, në një konferencë javore për shtyp në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, vlerësoi zhvillimet lidhur me protestat në Rusi që vazhdojnë javën e fundit kundër mobilizimit.

Shamdasani deklaroi se që nga fillimi i protestave më 21 shtator e deri më tani janë arrestuar 2.377 protestues dhe se numri i vërtetë i personave të arrestuar është i papërcaktuar.

Edhe në Republikën Autonome të Dagestanit protestat kanë vazhduar në 3 ditët e fundit, tha Shamdasani, duke shtuar se dhjetëra persona janë arrestuar si pasojë e konflikteve mes protestuesve dhe policisë në Makhachkala, kryeqytetin e Dagestanit.

Më tej Shamdasani vuri në dukje se protestat paqësore dhe liria e shprehjes janë të drejta të njeriut dhe u bëri thirrje autoriteteve për lirimin sa më parë të protestuesve që janë arrestuar në mënyrë arbitrare.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, më 21 shtator shpalli mobilizim të pjesshëm për të ofruar ndihmë ushtarake në luftën kundër Ukrainës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb