Kombet e Bashkuara japin alarmin për ndryshimet klimatike në glob, duke theksuar se 5 vitet e fundit kanë qenë më të nxehtit që janë regjistruar ndonjëherë. Është fakt se ndryshimet klimatike do te prekin se shpejti edhe Shqipërinë, dhe pasojat do te jene të rënda. Koordinatori i Përhershëm i OKB-në në Shqipëri, Brian J. Williams tha se shkencëtaret parashikojnë thatësire por edhe stuhi që do shkaktojnë përmbytje.

“Ne e dimë nga komunikimet zyrtare të Shqipërisë në konferencën për ndryshimet klimatike se shkencëtaret kanë parashikuar një mot më të nxehtë sidomos në verë, parashikimet për në Shqipëri thonë se do të reduktohen shirat , por do të ketë edhe stuhira qe do të sjellin rrezikun e një probabiliteti te larte përmbytjesh. Shkencëtaret parashikojnë thatësira të shpeshta që do të jenë keq për agrikulturën dhe për energjetiken. Nuk ka kohë për të humbur, ligjet dhe planet kanë nevojë për buxhet dhe staf përndryshe do të kenë impakt të vogël”, pohoi Brian J. Williams.

Qeveria thotë se ka një plan konkret për të zvogëluar pasojat e ndryshimeve klimatike. Ministri i jashtëm në detyre Cakaj deklaroi se vendi ynë do te ule emetimet e gazrave në natyrë me rreth 45%.
“ Nga ratifikimi në kohë rekord i marrëveshjes së Parisit të vitit 2016, Shqipëria menjëherë ka përgatitur dokumentet kombëtare të planifikimit strategjik për të parandaluar në shkallën më të lartë të efekteve të mundshme të efekteve negative të efekteve klimatike. Më saktësisht Shqipëria posedon planin e saj të veprimit për zbutjen e emëtimit të gazit karbonik në natyrë dhe planin kombëtar për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike në përgjithësi. Synimi ynë kombëtar është që të zvogëlohet deri në 45% emëtimet e gazrave në natyrë gjatë dekadës së ardhshme dhe për të shkuar drejt zhbërjes totale të emetimit në natyre deri ne vitin 2050”, tha Cakaj.

Duke folur mbi reformat ne mjedis ministri i mjedisit Blendi Klosi tha se ndalimi i prodhimit tregtimit dhe importimit të qeseve plastike është një tjetër vendim falë të cilit Shqipëria do të jetë vendi i parë europian pa qese plastike prej datës 1 qershor 2020.Deklaratat u bene në përvjetorin e ditës së Kombeve të Bashkuara, në aktivitetin e organizuar nga zyra e OKB në vendin tonë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb