Më shumë se 300,000 njerëz kanë ikur nga Sudani i shkatërruar nga lufta në vendet fqinje, tha komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatët.

“Shumë kanë kaluar kufijtë e Çadit dhe Egjiptit në ditët e fundit,” shkroi Filippo Grandi në Twitter.

“Kontributet e donatorëve në planin e reagimit ndaj refugjatëve mbeten të pakta. Ne kemi nevojë për më shumë burime, urgjentisht, për të mbështetur vendet që presin refugjatët,” shtoi Grandi.

Sipas OKB-së, më shumë se 700 njerëz janë vrarë, duke përfshirë 190 fëmijë dhe 6,000 të tjerë të plagosur, që nga shpërthimi i konfliktit midis ushtrisë sudaneze dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në mes të prillit.

Rreth 840,000 njerëz janë zhvendosur brenda vendit për shkak të konfliktit, tha ai.

Një mosmarrëveshje ishte nxitur në muajt e fundit midis dy palëve në lidhje me integrimin e RSF në forcat e armatosura, një kusht kyç i marrëveshjes së tranzicionit të Sudanit me grupet politike.

Sudani ka qenë pa një qeveri funksionale që nga tetori i vitit 2021, kur ushtria shkarkoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në një lëvizje të cilësuar nga forcat politike si një “grusht shteti”.

Periudha kalimtare, e cila filloi në gusht 2019 pas rrëzimit të presidentit Omar al-Bashir, ishte planifikuar të përfundonte me zgjedhjet në fillim të vitit 2024.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb