Më 7 prill 1994 filloi në Ruandë gjenocidi që zgjati 100 ditë, gjatë të cilit u vranë 1 milionë vetë. Armët për gjenocidin u mblodhën nga vendet e Europës Lindore prej sekserëve perëndimorë, që i shitën në Afrikë.
OKB e ka shpallur 7 prillin, ditën kur përkujtohet gjenodici etnik i ndodhur në Ruandë. Nga Tirana deri në Kigali ndodhen 5 mijë kilometra linjë ajrore. Shqipëria dhe Ruanda nuk kanë ndonjë gjë të përbashkët. Të dy vendet janë vende të vogla dhe kanë natyrë të bukur. Por historia e re i ka bërë bashkë të dy vendet në një tragjedi. Gjenodici etnik i 1994-ës në Ruandë është kryer edhe me armë shqiptare.
Historia- Çfarë ka ndodhur?
Burimet e informacionit për këtë pjesë janë marrë nga sistemi informativ i OKB-së.
Në vitin 1994, popullsia e Ruandës ishte 7 milionë banorë me një përbërje 85 përqind hutu, 14 përqind tutsi dhe 1 përqind twa. Ruanda iu la Gjermanisë nga Konferenca e Berlinit e vitit 1884, si pjesë e Afrikës Lindore Gjermane. Sundimi gjerman pati ruajtur raportet sociale ekzistuese, tutsit drejtonin popullsinë duke u parë si superiorë, kurse hutut shiheshin si inferiorë, të një klase më të ulët. Gjatë Luftës së Parë Botërore, Belgjika mori kontrollin mbi Ruandën dhe e quajti Ruanda Burundi. Belgjika vendosi një mbret që vinte nga etnia tutsi dhe futi kartën e identitetit, gjë që rriti tensionet etnike duke u bazuar tek raca. Mbas Luftës së II Botërore, Ruanda Burundi u bë territor që iu besua Kombeve të Bashkuara, dhe qeverisja iu la Belgjikës. Më 1962 vendi shpalli pavarësinë dhe u nda në Ruandën dhe Burundin, dy shtete të pavarura. Në Ruandë u vendos një president hutu. Mijëra tutsi u detyruan të largohen nga vendi. Kurse në Burundi kryesimin e mbajtën tutsit.
Në vitin 1973, komandanti i ushtrisë, që ishte një hutu mori me puç drejtimin e Ruandës dhe vendosi sistemin njëpartiak me kuota etnike në shërbimin publik. Në vitin 1990 ushtria filloi të stërviste dhe të armatoste popullsinë civile. Tri vitet e ardhshme mijëra tutsi u vranë në të gjithë vendin.
Një organizatë që përbëhej kryesisht nga tutsit, Fronti Patriotik Ruandez (FPR), ishte krijuar në vitin 1987 në Ugandë. Më 1990, ata sulmuan Ruandën dhe kjo u përdor si shkak pastaj për të përndjekur të gjithë tutsit që jetonin në vend. Më 1993, u vendos armëpushimi midis presidentit hutu dhe FPR dhe Kombet e Bashkuara dërguan një mision paqeruajtës në Ruanda, UNAMIR, për të ruajtur armëpushimin. Por në vitin 1994, një aeroplan ku ndodheshin presidenti i Ruandës dhe presidenti i Burundit u qëllua me raketë më 6 prill. Këtë ditë ushtria profesionale e Ruandës dhe civilët e armatosur filluan të vrisnin tutsit dhe hutut e moderuar duke shkuar shtëpi më shtëpi. Vrasjet vazhduan 100 ditët e ardhëshme. Një milionë tutsi dhe hutu të moderuar u vranë nën mbikqyrjen e botës. Deri sa në gusht drejtimin e vendit e mori FRP dhe OKB dërgoi një mision tjetër për Ruandën.
Armët pas Luftës së Ftohtë
Në librin “The arms fixers”, shqip “Sekserët e armëve”, autorët Johan Peleman dhe Brian Wood merren me problemin e armëve të vogla dhe përdorimit të tyre në vitet nëntëdhjetë. Ja çfarë shkruajnë ata: “Në vitet nëntëdhjetë miliona njerëz kanë humbur jetën në konfliktet e armatosura dhe trazirat që kanë pasuar. Shumica e viktimave kanë qenë civilë. Dhe shumica e tyre janë vrarë nga armët e vogla si pushkët automatike, mitralozat, granatat dhe armë të tjera që mund të mbahen lehtë dhe të përdoren vetëm nga një njeri.”
Dhe më tej: “Një nga aspektet që e bën shumë të vështirë monitorimin, për të mos folur për kontrollin është roli që luajnë ndërmjetësit, sekserët dhe agjentët e transportit, pazarxhinjtë që bëjnë transportin e armëve të vogla dhe pajisjeve ushtarake, herë të reja e herë të përdorura”.
Sekserët e armëve kanë qenë në gjendje të gjejnë armë stoqe, të mbetura nga Lufta e Ftohtë që nuk hynin më në punë. Mungesa e ligjeve, globalizimi i tregtisë e ka lehtësuar tregtinë e armëve.
Në kapitullin e tretë me titull “Organizimi i armëve të gjenocidit”, autorët shkruajnë se ndërmjetësuesit, sekserët dhe agjentët e transportit organizuan furnizimin e armëve, që u përdorën në krimet kundër njerëzimit më 1994 në Ruandë. „Tregtarët, jo vetëm që arritën të anashkalonin ligjet për kontrollin e armëve në disa nga shtetet më të fuqishme të botës, por anashkaluan edhe embargon e armëve të vendosur nga OKB“, shkruajnë ata.
Duke shfrytëzuar dokumenta nga arkivat ushtarake të regjimit që planifikoi dhe kreu gjenocidin në Ruandë si dhe intervistat e disa prej njerëzve të përfshirë në gjenocid, dhe evidenca nga Komisioni hetimor i OKB, ata kanë arritur në përfundimin se: „Sekserët dhe transportuesit kryesorë të armëve të përdorura në genocidin e 1994 ishin me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Afrikën e Jugut. Ata kanë përdorur rrjete bashkëpunimi në vende të tjera përfshirë Shqipërinë, Belgjikën, Bullgarinë, Egjiptin, Italinë, Izraelin, Zairenë dhe Seychelles.“ Asnjë nga sekserët e armëve nuk është akuzuar për bashkëpunim në genocid.
Armë nga Shqipëria
Një nga metodat e përdorura për furnizimin e Ruandës me armë është ajo që autorët e quajnë: “Metoda anglo- franceze e detit të hapur”. “Sekserët dhe tregtarët britanikë kanë përdorur kompani nënkontraktore me bazë në vendet pa taksa, për të kryer aktivitetet e tyre në Ruandë”, shkruajnë autorët bazuar në përgjigjet e marra nga personeli i avionëve britanikë, që kanë qenë të involvuar në furnizimin me armë të ruandezëve në ekzil dhe të milicisë hutu. “Avionë mallrash të regjistruara në Afrikë, por me bazë në Europë kanë ndihmuar për tregtinë e fshehtë të armëve,” thuhet në libër, ku jepet si shembull pohimi i bërë nga një pilot britanik dhe një person që është marrë me ngarkesën e mallit.
“Një pilot britanik dhe një punonjës i ngarkesës pranuan se në maj të vitit 1994, një avion i një kompanie britanike fluturoi bosh nga Oostendi i Belgjikës deri në Tiranë, ku u mbush me armë të vogla nën kontrollin e oficerëve izraelitë. Aeroplani fluturoi në Goma, ish Zaire, pa asnjë lloj kontrolli doganor dokumentacioni për ngarkesën, duke përfshirë edhe rimbushjen me karburant në Kairo. Ata thanë se fillimisht nuk ishin të vetëdijshëm se fluturimi i tyre kishte të bënte me transport armësh. Pastaj menduan se kishin të bënin me një tregti midis qeverive, deri sa panë se në Kigali nuk u bë asnjë lloj dokumentimi,” shkruajnë autorët, duke shtuar se ekuipazhit të avionit i kujtohet që ka bërë gjatë asaj kohe edhe fluturime të tjera nga Shqipëria, Bullgaria dhe Izraeli.
Për disa fluturime nga Shqipëria dhe nga Izraeli në drejtim të Gomas dhe Kinshasas flasin edhe dokumentet e gjetura në vitin 1996, nga dy gazetarë të “Corriere Della Sera” në një kamp refugjatësh në Mugunga. “Këto dokumenta konfirmojnë pohimet e ekuipazhit britanik për fluturimet e fshehta ndërmjetësuar nga agjentë perëndimorë. Shtatë transporte ajrore të armëve të vogla me vlerë 6,5 milionë dollarë janë bërë nga Tirana dhe Tel Avivi nga mesi i prillit deri në mes të korrikut të vitit 1994, për forcat që ishin duke kryer vrasjet masive për të cilat mediat ndërkombëtare raportonin përditë”, shkruajnë Johan Peleman dhe Brian Wood. Ata tregojnë edhe për milionat “e humbura” rrugës, dhe një biznesmen francez që ia kërkon zyrtarëve hutu të ministrisë së Mbrojtjes në Ruandë, si dhe për mbledhjen e armëve për masakrën tjetër, atë në Brazavillë, Kongo.
/DW