Bota ka nevojë urgjente për një plan global vaksinimi për të bashkuar të gjithë ata që kanë fuqinë, ekspertizën shkencore dhe kapacitetet prodhuese dhe financiare të kërkuara, deklaroi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres para vendeve të G20.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, që njoftoi një rënie me 16% të rasteve me COVID-19 në botë, theksoi gjithashtu se “zjarri nuk është shuar”, më shumë se një vit pas fillimit të pandemisë që ka shkaktuar mbi 2,4 milionë të vdekur.

“Numri i rasteve të infektimit me COVID-19 në botë është ulur për të pestën javë radhazi dhe që prej fillimit të vitit, bilanci i përjavshëm i infektimeve pothuajse është përgjysmuar, njoftoi drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Në frontin europian, marrëveshja e re, e njoftuar nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka të bëjë me blerjen e 150 milionë dozave të vaksinës antiCOVID-19 nga laboratori amerikan Moderna, destinuar për t’u livruar në tremujorin e tretë dhe të katërt të 2021, me një mundësi prej 150 milionë doza shtesë në 2022.

Bashkimi Europian njoftoi dje një marrëveshje për blerjen e 300 milionë dozave shtesë të vaksinës Moderna kundër COVID-19, duke përshpejtuar garën për imunizimin në një kohë kur sekretari i përgjithshëm i OKB kërkoi hartimin e një plani global vaksinimi.

“Marrëveshja përfshin blerjen e 150 milionë dozave, të destinuara për shpërndarje në tremujorët e tretë dhe të katërt të vitit 2021, me një mundësi prej 150 milionë doza shtesë në 2022″, theksoi kompania në një deklaratë.

Në total, BE pritet të ketë 310 milionë doza të vaksinës Moderna këtë vit.

Kritikuar për vonesa në vaksinim, Komisioni Europian zbuloi një plan për mbikëqyrje më të mirë të mutacioneve të koronavirusit.

Në Uashington, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken njoftoi seSHBA-ja do të paguajë më shumë se 200 milionë dollarë për Organizatën Botërore të Shëndetësisë deri në fund të shkurtit, pasi anuluan planin e tërheqjes së Donald Trump nga kjo organizatë.

Në Gjermani, varianti britanik i virusit, i cili përfaqëson më shumë se 20% të rasteve, është në rrugën e duhur për t’u bërë dominues”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn.

Përballë rrezikut gjithnjë të pranishëm, kryeministri i ri Italian Mario Draghi vendosi si detyrë kryesore për të luftuar pandeminë me të gjitha mjetet në vendin e tij, ku COVID-19 ka shkaktuar rreth 100 000 të vdekur.

Pandemia ka shkaktuar të paktën 2 419 730 të vdekur në botë, sipas të dhënave zyrtare.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb