Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se rreth 10 milionë njerëz në Korenë e Veriut aktualisht vuajnë nga mungesa e theksuar ushqimore pasi ky vend i Azisë lindore u përball me një nga stinët më të këqija të të korrurave në dhjetëvjeçarin e fundit.

Programi Botëror i Ushqimit (The World Food Program) bëri të ditur sot se kushtet jo të favorshme klimatike, furnizimet e kufizuara të produkteve bujqësore, siç janë lëndët djegëse, plehrat dhe pjesët rezervë, kanë pasur një ndikim negativ të madh në prodhimin e hortikulturave të Koresë së Veriut në sezonin 2018/2019.

Agjencia tha se një mision vlerësimi muajin e kaluar nga OKB dhe Organizata Botërore e Bujqësisë, ka rezultuar me gjetje shqetësuese të “konsumit të ulët të ushqimit, shumëllojshmëri të kufizuar të dietave si dhe familje të detyruara të kenë sasi të kufizuar ushqimi”.

Dy agjencitë me seli në Romë thanë se “situata është veçanërisht shqetësuese për fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna, si dhe për nënat që kanë foshnjat e tyre në gji”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb