SHBA-UNHCR, agjensia e OKB-së për refugjatët thotë se një numër rekord refugjatësh në të gjithë botën janë zhvendosur prej luftërave, dhunës dhe persekutimit, dhe se ky numër po vazhdon të rritet me shpejtësi. Raporti i ri thotë se deri në fund të vitit të kaluar, pati rreth 60 milionë njerëz të zhvendosur me forcë, pra rreth 8 milionë më shumë se një vit më parë dhe rreth 20 milionë krahasuar me një dekadë më parë. Rritja nga viti 2013 ishte më e larta ndonjëherë.

Një eksod masiv i njerëzve filloi në vitin 2011 me shpërthimin e luftës civile në Siri. Gjatë pesë viteve të fundit konflikte të armatosura dhe persekutime kanë dëbuar njerëz nga shtëpitë e tyre edhe në Afrikë, Azi dhe Evropë. Gjatë vitit të kaluar, 42 mijë e 500 njerëz u larguan çdo ditë nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës.

“Bota është bërë rrëmujë, dhe nëse njerëzit mendojnë se organizatat humanitare mund ta rregullojnë gjendjen, gabohen. Nuk i kemi kapacitet për të ndrequr gjërat.”

Një në çdo 122 persona është tashmë refugjat ose azilant. Raporti është një pasqyrë e gjendjes së botës sot, tha komisioneri i OKB-së, raporton Zëri i Amerikës.

“Ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar të marrë përgjegjësitë e tij, jo vetëm përballë këtyre njerëzve, por edhe për të zgjidhur konfliktet që po shkaktojnë kaq shumë vuajtje.”

Siria është aktualisht vendi që prodhon më shumë refugjatë në botë, e ndjekur nga Afganistani dhe Somalia. Vendi fqinj i Sirisë, Turqia, është shndërruar në vendin e parë në botë mikpritës të refugjatëve. Greqia dhe Italia janë dyndur me refugjatë që duan të vendosen në Evropë.

Zyrtarët evropianë nuk bien dot dakort se si ta shpërndajnë barrën.

“Italia dhe Gjermania janë dakort që duhet të arrihet një rishpërndarje me e drejtë në Evropë. Mendojmë se vendosja e kuotave të detyrueshme për vendet anëtare është mënyra më e mirë.”

Disa vende anëtare e kundërshtojnë këtë ide, dhe Hungaria ka njoftuar se do të mbyllë kufirin e saj me Serbinë. Shumë refugjatë përdorin shtegun e Ballkanit për të arritur në Hungari, dhe më tej në Gjermani dhe Suedi.

“Bëhet fjalë për një vijë kufitare prej 175 kilometrash, e cila mund të mbyllet nëpërmjet një gardhi katër metër të lartë.”

Në Azinë juglindore, përpjekjet për të bllokuar refugjatët nga toka që iknin nga Myanmar drejt Tailandës shkaktoi një krizë humanitare në Detin Andaman, pasi mijëra refugjatë filluan të përdorin rrugën detare.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: