Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) raportoi se kishte “pretendime të besueshme” se më shumë se 100 persona u ekzekutuan pa gjyq pasi talebanët morën administrimin e Afganistanit në gusht dhe se të paktën 72 prej këtyre ekzekutimeve iu atribuan talebanëve.

Zëvendës Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Nada al-Nashif informoi vendet anëtare mbi situatën në Afganistan në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

“Populli i Afganistanit sot përballet me një krizë të thellë humanitare që kërcënon të drejtat e tyre më themelore të njeriut”, tha Nashif duke shtuar se jeta ekonomike është paralizuar kryesisht nga kolapsi i sistemit bankar dhe nga kriza e rëndë e likuiditetit.

Nashif paralajmëroi se me ardhjen e dimrit, populli afgan po përballet me varfëri të madhe dhe uri.

Duke thënë se shërbimet shëndetësore dhe shërbimet publike janë duke u përkeqësuar, Nashif tha se ka njoftime që disa familje i shesin edhe fëmijët e tyre.

“Janë vrarë me varje dhe prerje koke dhe janë ekspozuar në publik”

“Ne jemi të shqetësuar nga raportet se vrasjet jashtëgjyqësore vazhdojnë në të gjithë vendin, pavarësisht amnistisë së përgjithshme të shpallur nga talebanët pas 15 gushtit. Ne morëm pretendime të besueshme dhe të paktën 72 nga këto vrasje iu atribuan talebanëve. Në disa raste kufomat u ekspozuan publikisht. Kjo, natyrisht, acaroi frikën në një segment serioz të popullatës”, tha Nashif.

Duke deklaruar se të paktën 50 persona iu nënshtruan ekzekutimeve jashtëgjyqësore në sulmin që synonte anëtarët e DEASH-Khorasan në provincën Nangahar, Nashif tha se ka njoftime se trupat e njerëzve që u varën dhe u vranë brutalisht me prerje koke u ekspozuan në publik.

“60 për qind e 4.2 milionë fëmijëve afganë që nuk shkojnë në shkollë janë vajza”

Duke theksuar se fëmijët afganë janë “rekrutuar” nga organizata terroriste DEASH si dhe nga talebanët, Nashif tha se ata janë thellësisht të shqetësuar për raportet, duke shtuar se pothuajse të gjithë civilët e vrarë ose të plagosur nga municionet e pashpërthyera janë fëmijë.

Nashif tha se sipas UNICEF-it, 60 për qind e 4.2 milionë fëmijëve afganë që aktualisht nuk shkojnë në shkollë janë vajza.

Sipas raportit të Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, Afganistani është ndër 5 vendet kryesore që kanë nevojë për ndihmë humanitare.

OKB-ja parashikon që 22.8 milionë njerëz, që është më shumë se gjysma e popullsisë, mund të përjetojnë mungesa serioze ushqimore në Afganistan gjatë muajve të dimrit.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb