TIRANE

Nga përballjet me politikanët te misioni për të ndihmuar të vuajturit, janë dy realitete të ndryshme që gazetares së njohur të “News 24” i duhet të prekë. Ola Bruko e kategorizon veten te njerëzit shpirtërorë, që s’u përshtatet racionaliteti i politikës. Jo pa qëllim moderon programin më të ndjekur në ekran “Shqiptarët për shqiptarët”, një ide e imamit dhe misionarit Elvis Naçi me praninë e veçantë të artistit Sidrit Bejleri. Në sezonin e dytë të këtij formati, që po kthehet në një mision bamirësie, në emër të së mirës dhe dashurisë u ofrohet ndihmë shqiptarëve, që e shohin veten në buzë të greminës, kudo ku ata jetojnë. Për paskuintat e një programi që konverton lotët e dhimbjes në lot gëzimi, Ola Bruko flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.
“Shqiptarët për shqiptarët” është emisioni i këtij viti, që drejton në “News 24”. Si ka qenë ky vit për ty dhe si i ke përjetuar historitë e dhimbshme të njerëzve, që janë bërë pjesë e rrugëtimit tënd televiziv?
Ky është sezoni i dytë i emisionit tonë dhe përjetimet bëhen gjithnjë e më të forta. Për shkak të natyrës që kam, unë i marr me vete historitë dhe qëndroj me to edhe në ëndrrat e mia…
Në këtë mision ke në krah Elvis Naçin dhe Sidrit Bejlerin. Si u krijua kjo treshe juaja me një imam dhe një muzikant?
Ideja e emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” është e Elvis Naçit, i cili kërkoi bashkëpunimin tim dhe të televizionit ku unë jam rritur profesionalisht, pra, të “News 24”. Naçi mori përsipër të ndihmojë njerëz në nevojë emergjente, qoftë materialisht, qoftë edhe duke kuruar ata që nuk munden fizikisht. Një emision i tillë i mbushur me drama njerëzore, ka nevojë heraherës edhe për nota humori, ndaj dhe një shkodran me zemër te madhe si Sidrit Bejleri nuk kishte se si të mungonte në panelin e përhershëm.

Ola Bruko

Gjatë rrugëtimit tuaj televiziv, keni qenë në Hamburg të GjermanisëCili ishte misioni juaj atje dhe sa e arritët qëllimin?
Ne kemi qenë më herët në Zyrih të Zvicrës dhe më pas në Hamburg të Gjermanisë, dy vende ku ka shumë shqiptarë. Misioni ynë ishte të përfshinim edhe ata bashkatdhetarë, që kontribuojnë e shkruajnë pa fund për emisionin tonë, t’u jepnim edhe atyre kënaqësinë të ndiheshin më pranë realizimit të misionit të bamirësisë. Mund të them me siguri se qëllimi ynë atje u realizua më së miri.
Të ndihmoni njerëz në nevojë është motoja juaj. Kush është më i ndjeshmi nga ju të tre dhe ai që ka zemrën më të fortë?
Më duket se jemi të tre njësoj në këtë drejtim… Të tre të ndjeshëm dhe përfshihemi në historitë e shqiptarëve. Lotët tanë në emision janë realë…
Kë do të veçoje si puntatën më prekëse dhe që vërtet të ka tronditur?
Musa Baculi, 15-vjeçari nga Shkodra më ka prekur e tronditur pa masë, aq sa e pata vërtet të vështirë të vazhdoja drejtimin e emisionit, pasi ndoqëm historinë e tij. Jam nënë vetë dhe për një çast projektova çdo gjë mbi veten e kjo mendoj është e pashmangshme…
Duket se bamirësia dhe të shfaqurit afër personave në nevojë është kthyer në një trend të ditëve të sotme për njerëzit me pushtet, biznesmenët apo të famshmit. Si i sheh ata dhe si do e përshkruaje ndjesinë kur punon për këtë emision?
Bamirësia të pasuron shpirtërisht, sidomos kur ajo bëhet me gjithë shpirt. Sa më shumë bamirës të ketë, aq më i mirë do të bëhet ky vend mendoj. Në Shqipëri ka aq shumë nevoja, saqë ka vend që të gjithë të ndihmojnë. Në këtë emision unë e kam gjetur veten. Kush me njeh nga afër, e kupton më së miri këtë.
Nga “Njerëz në fokus”, apo në studion e lajmevenë rubrikën “Opinion” ku shpesh të duhet të debatosh me politikanët, zbret me këmbë në tokë te njerëzit e vuajtur. Si e komenton kalimin nga njëri realitet te tjetri?
Gazetaria për mua nuk është vetëm profesion. Është më shumë se kaq. Unë e dua gazetarinë aq shumë sa nuk do të bëja dot pa dhënë lajmet, pa rubrikat dhe emisionet e aktualitetit dhe pa ato debatet në studio, që nuk krijohen asnjëherë artificialisht nga unë, por nga pyetjet e drejtpërdrejta që nuk iu pëlqejnë shumë politikanëve tanë. Kalimi është i natyrshëm sepse në të gjitha rastet unë jam gazetare/moderatore dhe ç’është më e rëndësishmja, ajo që i bashkon të gjitha në thelb është mbrojtja e interesave të publikut të gjerë…
E kujt ishte ideja për titullin “Shqiptarët për shqiptarët” dhe brenda 1 viti, çfarë keni bërë ju si shqiptarë për shqiptarët?
Emri ashtu si e gjithë ideja e emisionit ishte e Elvisit… Ai i ngriti dhe e kuroi këtë emision, derisa sot është një nga emisionet më të shikuara. Çfarë kemi bërë për shqiptarët? Nuk i kam numëruar dot shtëpitë e reja që janë ngritur mbi baraka apo çadra plastmase, njerëzit e kuruar dhe shëruar në spitale me emër në Europë apo Shqipëri, ndihmë në ushqime për mijëra familje çdo muaj etj… Nuk mund të them një shifër të saktë, por mjafton të shihni sesa raste trajtohen në një emision dhe e kuptoni më së miri se çfarë mund të bëjmë brenda një viti.
Emisioni ka në thelb humanizmin dhe dashurinë njerëzore, duke depërtuar në probleme të forta sociale. Ke takuar njerëz që të kanë befasuar me shpirtgjerësinë e tyre dhe a duhen shumë para për këtë program?
Po, kam takuar shumë njerëz që më kanë befasuar dhe që realisht s’e kam pritur që kanë atë zemër. Por kam kuptuar që ne shqiptarët kemi vërtet zemër të madhe, por hera-herës kemi nevojë për nxitje. Ata që më befasojnë e më prekin më shumë janë disa njerëz me një ekonomi të varfër, punëtorë më rrogë ose pensionistë, të cilët vijnë te “News 24” dhe ofrojnë një rrogë ose një pjesë të saj për rastin që iu ka bërë më shumë përshtypje. Kjo është vërtet prekëse dhe një këmbanë për veshët e atyre, që kanë mundësi të mëdha…
Sidrit Bejleri u bë pjesë duke rrëfyer historinë personale të humbjes së vajzës së tij 19-muajshe. Është në qëllimin tuaj t’u mësoni njerëzve se si përballohet dhimbja dhe ç’mund ta shpëtojë një njeri që është në buzë të greminës kur vjen puna për t’i dhënë kurajë?
Po ky është qëllimi! Gjatë jetës çdokush nga ne kalon sprova, disa të lehta e disa më të rënda, por çdo sprovë mendoj kërkon forcë shpirtërore për ta përballuar, në mënyrë që të mos të të vërë poshtë e mos të të shndërrojë si njeri.
Zakonisht, prezantues të projekteve të tilla aspirojnë politikën. Ti e ke menduar ndonjëherë të bëhesh pjesë dhe nëse po, me çfarë filozofie do të hyje në gara politike?
Nuk e kam menduar kurrë veten brenda politikës. Sa më shumë i njoh politikanët dhe mënyrën e të bërit politikë, aq më shumë e kuptoj se së paku në Shqipëri, politika nuk është mënyrë për të ndihmuar njerëzit. Që të jesh politikan në Shqipëri, duhet të kesh disa “aftësi”, që unë nuk i zotëroj, ndërsa disa tipare që besoj se i kam, duhet të të mungojnë. Edhe praktika e ka treguar se njerëz si unë nuk kanë ecur shumë në politikë. Unë besoj se qëllimi i jetës është jesh njeri i drejtë, të bësh mirë sa të mundesh dhe të lësh gjurmë pozitive. Këtë përpiqem të bëj unë çdo ditë dhe uroj t’ia arrij më së miri.
Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb