Violinisti me famë botërore Olen Çezari ishte i ftuari i parë në programin “Dola te Ola” këtë të diel.
Rreth dhjetë ditë më parë Oleni u dekorua nga presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, me titullin “Commendatore dell’Ordine della Stella d’Italia”, titull që iu dorëzua nga ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci në një ceremoni ku ishin të pranishëm personalitete të vendit, artistë të shquar dhe diplomatë. Violinisti u shpreh se ky titull ka një peshë të madhe në Itali, por ishte shumë i lumtur që iu dha pikërisht në Shqipëri.
Oleni ka filluar të luajë piano që në moshën 3-vjeçare dhe mësuesja e tij e parë ka qenë nëna e tij. Në moshën 13-vjeçare Oleni fitoi bursë dhe u transferua në Itali bashkë me të ëmën, dhe në “Dola te Ola” rrëfeu vështirësitë që hasi atje.
Kujtimet ia solli një fotografi e realizuar në Piazza Navona, ku artisti shihej i rrethuar nga shumë njerëz teksa i binte violinës. Ai rrëfeu se pasi shkoi në Itali dhe fitoi konkursin, priste bursën nga ambasada që ishte 350 mijë lireta. Ishte 10 korrik kur shkoi Oleni në ambasadë për të marrë bursën, ku i thanë se bursa do të kalonte më 4 nëntor. Pasi kthehet në shtëpi mamaja e tij po qante pasi kishte vetëm 5 mijë lireta (5 euro), “Shkoi bleu dhe picë dhe kthehet vetëm me 2 euro”, tha ai.
Ndaj Oleni vendosi të shkojë në Piazza Navona, luajti violinë në shesh dhe u kthye në shtëpi me 200 mijë lireta, dhe këtë vazhdoi ta bënte për tre muaj me radhë.
(BalkanWeb)