Drejtori i Partizanit, Olsi Rama i pyetur nga media greke “gazzeta.gr”, ka reaguar sa i takon parullës që po bën xhiron në mediat shqiptare, por dhe ato greke. “Një grek më pak, një bastard më pak” ishte një nga parullat e shpërndara nga tifozeria e kuqe e Partizanit, por Olsi Rama insiston se atë parullë nuk e kanë shpalosur tifozët e vërtetë të Partizanit dhe e konsideron këtë veprim si të dënueshëm.

“Pozicionimi i klubit nëpërmjet komunikatës shpreh të gjithë fjalët që dua të them. Sapo e pamë atë banderolë në tribuna, menjëherë fola me policinë dhe me stafin tonë, që ta hiqnin atë parullë.

Qëndroi e hapur për shumë pak momente. Është e qartë që incidentet të tilla duhet të na bëjnë më të alarmuar. Qëllimi ynë është të luajmë futboll, dhe çdo gjë tjetër jashtë fushave nuk ka lidhje me ne. Për fat të keq, nuk kemi kamera sigurie për të lokalizuar ata që e hapën. Kërkuam, pyetëm, por Ultrasit tanë e mohuan të kishin lidhje me atë rast.

Ai që e ka bërë, me siguri e ka bërë për të shkaktuar ndonjë problem, por e kuptojmë që është në pakicë dhe nuk ka vend në fushën tonë. Ju siguroj se nëse do i dinim fajtorët, do kishim vepruar në një mënyrë tjetër. Nacionalistë dhe ekstremistë të tillë nuk kanë vend tek ne. Ata nuk përfaqësojnë qëndrimin tonë dhe në bashkëpunim me autoritetet, po mundohemi nëse ka ndonjë mënyrë për të gjetur ata që e bënë”- u shpreh Olsi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb