Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

“Vrasje” apo “vetëvrasje”e Presidentit Omer Nishani?!

Përfundimi i jetës së Omer Nishanit me “vrasje” apo “vetëvrasje” kërkon një analizë objektive. Partia-shtet ka vepruar për ta mbajtur të fshehtë mënyrën, shkakun apo shkaqet e vërteta përse u largua nga jeta Omer Nishani. Në njoftimet zyrtare u bë e ditur se ai vdiq pas një sëmundjeje të rëndë. Pastaj u tha se ai kishte vrarë veten. Më 27 maj 1954 Dega e Hetuesisë së Sigurimit të Shtetit me nënkryetar nënkolonel Nevzat Haznedarin ka hartuar relacionin mbi vdekjen e Omer Nishanit. Në të thuhet konkretisht se: “Dr. Omer Nishani, në orën 23:00 të datës 25 maj 1954 ka vrarë veten me dy të shtëna me armë zjarri”.

Më pas, në një njoftim tjetër u tha se “ai e kishte bërë këtë vetëvrasje sepse nuk i duronte dot vuajtjet që i shkaktonte sëmundja”. Është e vërtetë se Omer Nishani ishte i sëmurë rëndë, por është po kaq e vërtetë se para vdekjes, vrasjes apo vetëvrasjes së tij Enver Hoxha e kishte larguar atë nga tribuna kryesore e podiumit të Kuvendit Popullor. Është po kaq e vërtetë se dy ditë pas vdekjes, vrasjes apo vetëvrasjes së Omer Nishanit do të bëheshin zgjedhjet për Kuvendin Popullor dhe Omer Nishani nuk ishte propozuar si kandidat për deputet. Është po kaq e vërtetë se Enver Hoxha e kishte detyruar më parë Omer Nishanin që të jepte dorëheqjen si kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, gjë që ai e bëri më 1 gusht 1953.

Sikur të mos mjaftonin këto, shokët e tij të luftës kërkuan ta nxjerrin edhe jashtë shtëpisë ku banonte. Sigurimi i Shtetit kishte nisur ndërkohë edhe përgjimin sistematik të jetës së tij të ngushtë private, gjë që nuk mund të bëhej kurrsesi pa një urdhër nga lart. Në këto kushte, mundet që Omer Nishani e ka ndier veten të poshtëruar, të zhgënjyer dhe ka vrarë veten. Vëmë në dukje edhe një dëshmi që flet për vrasjen dhe jo vdekjen apo vetëvrasjen e Omer Nishanit.

Një shoqe e Trëndafiles, edhe ajo austriake, gruaja e Kostë Boshnjakut, dënuar me burgim të përjetshëm nga regjimi, ka hedhur poshtë versionin zyrtar të vdekjes së Omer Nishanit. Sipas tregimit të saj, gjatë një vizite që ajo i ka bërë Trëndafiles në shtëpi në rrugën “Arkitekt Sinani”, ka ardhur gjithashtu për vizitë edhe ish-bahçevani i Omer Nishanit, një fshatar nga Grori. Ai ka kërkuar të flasë vetëm për vetëm me Trëndafilen. Kjo nuk ka pranuar. Atëherë bahçevani, pasi ka kërkuar që thëniet e tij të mbaheshin sekret, u ka treguar të dyja grave të huaja atë që ka parë.

Qemal Lame
Qemal Lame

Sipas tij, Omer Nishani është vrarë nga djali i madh i njërit prej zëvendëspresidentëve të Presidiumit të Kuvendit Popullor, “atij të paarsimuarit”. Por, nëse është kështu, përse është vrarë ai? Nuk ka të dhëna të tjera me dëshmitarë e prova konkrete të drejtpërdrejta për ta argumentuar ose kundërshtuar këtë pyetje. Omer Nishani, një nga personalitetet me kontribute për kohën e luftës, pushtetin popullor dhe veprimtarinë e Enverit. Ai kishte treguar se dinte edhe të fliste një ditë të bukur, të dëshmonte për krimet dhe terrorin e udhëheqësit dhe bashkëpunëtorëve të tij më besnikë. Për këtë përfundim na ndihmon edhe ditari sekret i datës 7 dhjetor 1948 i ambasadorit sovjetik në Tiranë, D. S. Çuvakin.

Ai shkruan në ditar se më këtë datë ka pasur një takim me Omer Nishanin, sipas kërkesës së këtij të fundit. Ambasadori sovjetik vendos në ditar thënie të Omer Nishanit, si: “Megjithëqë qeveria e tanishme ka ardhur në pushtet falë fitoreve të të gjithë popullit në luftën kundër pushtuesve, këtë popull nuk e llogarisin, zërit të tij s’ia vënë veshin”… Më tej në bisedë Omer Nishani ka thënë: “Ajo që përjetoi populli ynë gjatë viteve të fundit është një natë e zezë në historinë e tij. Paligjshmëri të tillë nuk ka pasur as në kohën e “ballistëve”.

Omer Nishani, me këtë dëshmi, dënon Koçi Xoxen, një homolog i Berias në Bashkimin Sovjetik. Gjithçka ia ngarkon atij. Por ai ka vënë re dhe ka krijuar bindjen se me kalimin e viteve, edhe pas Koçi Xoxes krimet, dhuna, paligjshmëria etj., etj., jo vetëm nuk ishin ndalur, por ishin rënduar edhe më tej. Kjo gjendje ishte zhvilluar me dijeninë e udhëheqësit, me politikën e tij kundër armiqve të pushtetit popullor. Pas vdekjes së Stalinit në Bashkimin Sovjetik do të dënohej politika e tij e gulagut, vrasjet, internimet, burgimet.

Omer Nishani mund të fliste sërish me ambasadorin rus në vitin 1954 ose më pas, sikurse kishte bërë edhe në vitin 1948. Ai e dinte dhe ishte i bindur se në fakt nuk ishte Koçi Xoxe, ish-shefi i Sigurimit, përgjegjës kryesor për arrestimet e vrasjet pa gjyq, për terrorin dhe dhunën e pakontrolluar, por vetë Enver Hoxha. Ishte ky që kishte urdhëruar Koçi Xoxen për krimet për të cilat ai u akuzua. Ai urdhëronte apo impononte edhe Omer Nishanin të vinte firmën për të miratuar ekzekutimin e “armiqve të popullit”.

Omer Nishani mund të fliste për të qenë i qetë me ndërgjegjen e tij, por edhe nga frika se mos e pësonte si Koçi Xoxe. Asnjëherë nuk dihej se kush do të ishte “Koçi Xoxe” i radhës! Natyrshëm arrihet në përfundimin se kjo është një arsye kuptimplotë përse atij i duhej mbyllur goja pa pritur një vdekje natyrale. Nga dokumentet e arkivave sovjetike të botuara del se më 20 maj 1949 Enver Hoxha i ka thënë ambasadorit të Kremlinit në Tiranë, Dimitri S. Çuvakinit: “Prokurori duhet të kërkojë dënim me vdekje për Koçi Xoxen, burgim të përjetshëm për Pandi Kriston, ndërsa të pandehurit e tjerë – Vaskë Koleci, Nuri Huta dhe Vangjo Mitrojorgji – gjyqi duhet t’i dënojë përkatësisht me 10-15, 7-8 dhe 3-5 vjet burg”.

Edhe këto dokumente të sovjetikëve dëshmojnë politikën e brendshme shqiptare, ku Enveri ka qenë realisht e efektivisht operativi, hetuesi, prokurori dhe gjykatësi suprem gjatë gjithë periudhës së diktaturës. Në bisedën me ambasadorin sovjetik Omer Nishani ka folur edhe për marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, për politikën koloniale të jugosllavëve ndaj Shqipërisë.

Sipas tij, ai këtë gjë e ka mësuar vetëm nga Kongresi i Parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë, sidomos nga raporti për problemet ekonomike i paraqitur nga Gogo Nushi, në atë kohë ministër në kabinetin e Enver Hoxhës. Kjo gjë nuk duket fort e besueshme, por edhe nuk paraqet interes për t’u zhvilluar më tej.  Ditari i ambasadorit sovjetik na ndihmon të kuptojmë në gjerësi të vërtetën. Çuvakin shkruan në ditarin e tij se, “sipas mendimit të Omer Nishanit, të gjitha këto ndodhën sepse udhëheqësit shqiptarë kishin harruar ndjenjën e dinjitetit personal”…

Këtu Omer Nishani flet në përgjithësi pa kursyer as Enver Hoxhën. Me të drejtë shtrohet pyetja: A është vënë në dijeni Enver Hoxha nga sovjetikët për bisedën e Omer Nishanit? Përse jo? Njohim raste të tjera kur ata e kanë vënë atë në dijeni dhe nuk ka përse në këtë rast të bënin përjashtim. Edhe sovjetikët kanë bërë politikën e tyre, d.m.th. ata “miq” me të gjithë në kupolë dhe të gjithë në kupolë armiq midis tyre. Enver Hoxha nuk mund të falte atë që vinte në dukje tek të tjerët, tek emisarët e “Vatikanit komunist”, “mungesën e dinjitetit personal”, edhe pse kjo mungesë vlerësohej, ishte një kartë e favorshme për të në kullën e Kremlinit.

Ai, gjatë tërë karrierës së tij politike, që në fillimet e saj e deri në fund, ka treguar në fakt një mungesë të plotë dinjiteti personal duke u bërë lajka nga më të pamenduarat udhëheqësve komunistë, vasal i të cilëve ishte, sipas epokave e rrethanave, pra Titos, Stalinit, Hrushovit e Mao Ce Dunit. Këtë mënyrë sjelljeje ai e ka paraqitur si dinjitet, madje jo vetëm personal, por edhe të vendit e të popullit që ka drejtuar!”

Omer Nishani ka pasur veprimtari para dhe pas Çlirimit të vendit. Emërimi i tij si president mendohet se ka qenë i kërkuar nga Moska. Ai vlerësohet nga arkivat britanike si spiun i sovjetikëve, zyrtar i fashistëve dhe bashkëpunëtor i nazistëve. Presidenti Omer Nishani dhe kryeministri Mehmet Shehu janë deklaruar zyrtarisht, me të njëjtin motivacion, se “janë vetëvrarë me plumb në zemër”!??? Qëndrimet zyrtare të asaj kohe kritikohen e demaskohen me objektivitet. Studiues, politikanë e njerëz të thjeshtë kanë kuptuar, diskutuar, analizuar dhe publikuar përfundimet e vazhdojnë të dyshojnë e akuzojnë për dy vrasjet dhe për ngjashmërinë e këtyre “vetëvrasjeve me plumb në zemër” të dy udhëheqësve të lartë të regjimit komunist.

Të dyja këto personalitete me funksionet e larta shtetërore vlerësoheshin të rrezikshme dhe paragjykoheshin për t‘u eliminuar politikisht me vrasjen fizike. Në të njëjtat rrethana të mistershme kanë ndodhur vdekjet dhe janë mbajtur qëndrimet zyrtare në vrasjen apo vetëvrasjen e Omer Nishanit dhe në vrasjen apo vetëvrasjen, 27 vjet më vonë, të ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Në rastin e parë, në Raportin e Komisionit Qeveritar argumentohet versioni i vetëvrasjes me plumb si pasojë e një sëmundjeje të rëndë, ndërsa në të dytin, e një krize nervore.

Pra, shkaku i vdekjes nuk është politik. Përjashtohet motivi politik. Po të vazhdohej me këtë logjikë, vdekja nuk kishte arsye të politizohej dhe viktima të damkosej si armik e tradhtar. Por e vërteta është krejt ndryshe. Të dy këta udhëheqës të lartë, me paramendim dhe të paragjykuar janë denigruar, poshtëruar, survejuar në prag të vrasjes apo vetëvrasjes së tyre. Të dy janë varrosur duke i poshtëruar dhe në kundërshtim me kriteret për nderimet e parashikuara në bazë të protokollit shtetëror sipas postit të tyre. Në akuzat zyrtare dallohet edhe një ndryshim midis fundit të Omer Nishanit dhe atij të Mehmet Shehut.

Eliminimi i tyre nuk bëhet për të njëjtat motive. Nëse mund të mendohet se Mehmet Shehu rrezikonte pushtetin e Enver Hoxhës, apo nëse ai rrezikonte sidomos pushtetin e Nexhmije Hoxhës pas vdekjes së Enverit, Omer Nishani nuk ka paraqitur asnjëherë ndonjë rrezik të tillë apo të ngjashëm. Për këtë arsye ndoshta edhe njëri, Mehmet Shehu, u deklarua armik, agjent e poliagjent, ndërsa tjetri, Omer Nishani, u kursye nga këto epitete. Ai u la në harresë deri në vitin 1989, kur një spitali në Gjirokastër, qytet i origjinës së Omer Nishanit, iu dha emri i tij.

Edhe kur po binin kambanat për pushtetin komunist, ai u kujtua vakët për të. Një ndryshim tjetër dallohet edhe në qëndrimin që u mbajt ndaj bashkëshorteve të Mehmet Shehut e Omer Nishanit. Gruaja e Mehmet Shehut, Fiqiret Shehu, u akuzua si bashkëpunëtore e grupit komplotist, pohoi dhe fajësoi në hetuesi e në gjyq kundër të shoqit të cilësuar si kryekomplotisti më i rrezikshëm i komploteve të zbuluara nga Partia, nga vetë Enver Hoxha. Qëndrimi pendues i saj ka qenë i imponuar për shkak të kërcënimit të dhunës, faktit të vdekjes dhe dënimit si armik të bashkëshortit. Kuptohet se ka ndikuar edhe ndjenja e nënës për të shpëtuar familjen. Ajo kishte 3 fëmijë, nipër e mbesa dhe, kur gjithçka ishte e humbur, idealizonte se kështu mund t’i mbronte ata.

Trëndafile Nishani u la në harresë, njëlloj si edhe bashkëshorti i saj. Ajo nuk kishte fëmijë, nuk ishte nënë. Ishte ndoshta ky një nga rastet e rralla kur në kushtet e një tragjedie familjare një grua mund të ndihet e qetë e të mos vetëndëshkohet në ndërgjegje që nuk arriti të sjellë në jetë fëmijë e të lërë një trashëgimtar që mund të ishte viktimizuar për shkak të hakmarrjes primitive nga pushteti! Pas vdekjes, vrasjes apo vetëvrasjes së Omer Nishanit, Trëndafilja kërkoi vazhdimisht me këmbëngulje të largohet nga Shqipëria.

Ndoshta e ndiente veten të pasigurt, pasi dinte shumë nga jeta e kupolës. Ajo ishte e pambrojtur ndaj çdo të papriture të pakëndshme dhe arbitrariteti. Vitet kalonin dhe kërkesat e saj vazhdimisht refuzoheshin, të shoqëruara me konsiderata të larta. Asaj i thuhej se nuk mund ta linin të largohej, sepse gjoja ishte në nderin e vendit që gruaja e presidentit të parë të Presidiumit të Kuvendit Popullor të jetonte jashtë shtetit. Dikush e këshillon Trëndafilen t’i shkruajë Enver Hoxhës. Ajo i shkruan atij, i thotë se është plakur, se është e sëmurë dhe se si gjithkush edhe ajo dëshironte të vdiste në atdheun e saj, ku ende kishte një shoqe të vetme që e priste. Ajo iu lut atij që të mos e linte të vdiste pa askënd pranë për t’i mbyllur sytë, për ta përcjellë me dhimbje e dashuri. Çuditërisht, dëshira do të plotësohej. Enveri dha pëlqimin e tij.

Ndoshta edhe ai, sado mizor që ishte, u ndodh në një moment jashtë qenies së tij dhe gjykoi si njeri. Ndoshta arsyetoi se në çastet e fundit të jetës Trëndafilja nuk kishte më asnjë mundësi, nuk kishte energji për t‘iu kushtuar së kaluarës. E kaluara do të mbyllej së shpejti me të. Ndoshta kështu do të shtonte bindjen tek ajo për ndihmën dhe do të mënjanoheshin edhe dyshimet ndaj tij për vdekjen e Omerit. Trëndafilja u largua nga Shqipëria duke marrë me vete vetëm Trolin, qenin e saj besnik me të cilin vazhdoi të fliste shqip. Ajo nuk e harroi kurrë Shqipërinë që e vlerësonte si atdheun e saj të dytë. Ajo mbeti deri në fund të jetës së saj, në vitin 1971, e dashuruar me Shqipërinë dhe popullin shqiptar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb