Lidhja e “One Kiss” e Dua Lipës me Reds duket thjesht e mrekullueshme. Pas finales së “Champions League” në 2018 ku këngëtarja performoi për herë të parë këngën para fansave të Livperool, ajo është kthyer në një nga të preferuarat e mbështetësve.

Kur mposhtëm Chelsean në finalen e ‘Carabao Cup’ më herët gjatë këtij sezoni, lojtarët kënduan bashkë me fansat këngën e artistes shqiptare në bashkëpunim me Calvin Harris. Ndërsa arbitri i ra bilbilit për herë të fundit kundër Manchester City ditën e djeshme, kishte vetëm një këngë me të cilën tifozët dhe futbollistët ‘u çmendën’: One Kiss.

Nuk ka munguar edhe një postim nga vetë artistja që ndau videon në Instastory duke shkruar: “Vazhdon të jetojë!!!!!!!”.

Dua Lipa dhe Trent Alexander Arnold

Por, shumë fansa mendojnë se kjo këngë u bë himn pas thashethemeve se Dua ka qenë në lidhje me yllin e Liverpool, Trent Alexander Arnold. Vitet e fundit mbrojtësi i krahut të djathtë ka mahnitur gjithë botën me paraqitjet e tij, duke u konsideruar shpesh edhe si “më i mirë” në pozicionin e tij. E krah komenteve të shumta brenda fushës nuk mungojnë as ato jashtë saj.

Gjatë një interviste të vitit 2020 me shokun e tij të skuadrës Andy Robertson, i pyetur nëse thashethemet se ai po takohej me këngëtaren Dua Lipa ishin të vërteta, Alexander-Arnold tregoi një histori gazmore me nënën e tij: “Thashethemi më i çuditshëm që kam dëgjuar për veten ka qenë se kam qenë në lidhje me Dua Lipën. Madje, edhe mami më pyeti. Dhe i thash: ‘Mami, unë qëndroj në shtëpi çdo ditë. Mendoj se do ta dije nëse po dilja me dikë dhe do ta dije me patjetër nëse do ishte ajo”.”- rrëfeu ai asokohe.

Alexander-Arnold është fotografuar gjatë vitit të kaluar me Hannah Atkins, që thuhet se është e dashura e tij por nuk ka asnjë konfirmim zyrtar. Nga ana tjetër, në fund të 2021 Dua i dha fund lidhjes me Anwar Hadid dhe është shprehur se është beqare. Të shumtë janë njerëzit që kanë krijuar skenare rreth lidhjes së tyre të mundshme. Por, diçka e tillë duket larg realitetit. Dyshja asnjëherë nuk janë fotografuar bashkë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

E vërteta e lidhjes së këngës së Duas dhe Livperool

Lidhja e veçantë mes tifozëve të Liverpool dhe këngës ‘One Kiss’ filloi kur Dua performoi në finalen e “Champions League” në vitin 2018, e cila u zhvillua në Kiev të Ukrainës. 30,000 tifozë të Liverpool-it kishin udhëtuar 1,800 milje për të arritur në stadiumin “NSC Olimpiyskiy”. Pavarësisht humbjes 3-1 ndaj Real Madridit që asokohe drejtohej nga Zinedine Zidane, në ditët në vijim, videot e tifozëve të Liverpool-it që këndonin këngën u bënë virale në rrjetet sociale dhe kështu lindi një traditë e re.

“Një nga gjëra më të bukura të natës ishte padyshim kur të shihja videon e të gjithë tifozëve të Liverpool-it që këndonin së bashku One Kiss. U ndjeva shumë e nderuar”, tha Dua Lipa për faqen zyrtare të Liverpool-it në vitin 2020.

Më pas, në një intervistë për WIRED , Dua e përshkroi veten si një “Fanse të Liverpool-it” dhe shtoi se ajo “e do Liverpoolin, dhe se kjo skuadër ka gjithmonë një vend të veçantë në zemrën e saj”, ndonëse shtoi: “Babai dhe vëllai im mbështesin Arsenalin dhe mendoj se do të gjendesha në shumë telashe nëse do të thosha se thjesht mbështes Liverpoolin”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: