SHKODER – Rreth 400 forca të policisë lokale të Shkodrës si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, me 60 mjete, kanë nisur që në orët e para të mëngjesit një operacion të gjerë anti-kanabis në zonën e Pultit dhe Shoshit duke asgjësuar me djegie 32.676 bimë kanabis sativa.
Në ditën e parë të operacionit antikanabis i cili u shtri në vijën Dukagjin-Shkodër janë shkatërruar 173 parcela të kultivuara me bimë narkotike.

Në vijim të operacionit u sekuestruan një arsenal armësh e municionesh, përkatësisht:
1 pushkë,
4 granata,
1 kallëp tritoli 500 gr
7 karikatorë me fishekë, rreth 700 fishekë si dhe pjesë të ndryshme të armëve të tjera.

Armët u zbuluan në një shpellë të përshtatur për të qëndruar, të fshehura brenda shpellës në një mur të ndërtuar me gur. Arsenali i armëve u gjetë afër vendit ku është qëlluar me armë helikopteri i Policisë vitin e kaluar gjatë operacionit antikanabis. Armët dhe municionet do dërgohen për ekzaminim të mëtejshëm në laboratorin kriminalistik.

Operacioni gjatë ditës së martë u shtri në territorin e fshatrave Plan, Gjurë dhe Kujë.
Forcat e Policisë kanë operuar në një terren mjaft të vështirë, të pyllëzuar dhe shumë të thepisur. Sipërfaqet e tokës të mbjella me bimë narkotike janë konstatuar më parë përmes pamjeve nga ajri. Bimët të kultivuara në parcela që vijojnë nga 50-1000 bimë.

Operacioni u drejtua nga Drejtori i F.L.O dhe Drejtori i Policisë së qarkut Shkodër. Në aksion është përfshirë edhe një helikopter Kugar i ushtrisë, 60 mjete nga toka dhe 25 grupe policësh.

Kjo është një zonë me risk, pasi rreth një vit më parë pikërisht në vendin ku po zhvillohet operacioni , u sulmua me armë helikopteri i Policisë së Shtetit, por deri në këto momente nuk është shënuar asnjë incident.

Ndërkohë bëhet me dije nga Policia se operacioni masiv kundër kultivimit të bimëve narkotike do vijojë përsëri të mërkurën.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: