Finalizohet me sukses një tjetër operacion ndërkombëtar, ndërsa në pranga ranë 5 persona, dy anëtarë të grupit kriminal në Shqipëri, si dhe tre të tjerë në Itali. Në kuadër të operacionit të koduar “CAR SHARING”, që u zhvillua në orët e para të mëngjesit të sotëm, në Fier u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve me inicialet K. Ç., 34 vjeç, banues në Karbunare/Lushnjë, person me precedent të mëparshëm penal si dhe Sh. Z., 35 vjeç, banues në Lushnjë.

Ndërsa në Itali, nga Njësia Operative Radiomobile e Kompanisë Karabinieri të Borgo San Lorenzo të koordinuar nga Drejtoria Qëndrore për Shërbimet Antidrogë dhe nga Prokuroria e Republikës së Firences, në kuadër të procedimit penal për shkatërrimin e një grupi kriminal në të cilin ishin të përfshirë shtetas shqiptar, i prirur në trafikun e lëndëve narkotike në Itali, veçanërisht në Toskana, në orët e para të mëngjesit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve: H. SH., 28 vjeç dhe A. M., 45 vjeç, nga Lushnja, si dhe D. T., 28 vjeç, nga Durrësi, të tre me banim të përkohshëm në Itali.

Gjithashtu në Itali u shpall në kërkim shtetasi shqiptar E. H., me banim të përkohshëm në Itali. Nga periudha gusht 2017 deri në mars 2018, shtetasi K. Ç., në rolin si organizator, koordinator dhe përgjegjës i aktiviteteve kriminale të grupit që u godit mëngjesin e sotëm, negocionte me tregtarët e drogës dhe mbikëqyrte furnizimin me drogë, për ta trafikuar në rajonin e Toscanës.

Shtetasi SH. Z., në rolin e tij si pjesëmarrës solid brenda grupit kriminal kontrabandonte lëndën narkotike kokainë dhe ia dorëzonte personave që kishin negociuar më parë. Gjithashtu ky shtetas ishte i ngarkuar për të mbledhur para nga kontrabandistët vendas dhe konsumatorët. Edhe në këtë operacion ndërkombëtar të radhës, Policia e Shtetit tregoi profesionalizëm, besueshmëri dhe vendosmëri për të luftuar me forcën e ligjit, në bashkëpunim me partnerët, krimin e organizuar dhe terrorizimin.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb