Te Bajerni i Mynihut kanë nisur planet e merkatos për sezonin e ardhshëm. Bavarezët do të bëjnë një lloj revolucioni, i cili përveç Riberisë apo Robenit, mund të përfshijë edhe emra si Boateng apo Myler. Pikërisht ky i fundit ka përfunduar në radarët e Milani.

Sipas revistës “Kicker”, kuqezinjtë kanë kryer edhe një sondazh të parë për të testuar vullnetin e futbollisti. Vetë 30- vjeçari, pak ditë më parë, pati deklaruar se nuk e njeh të ardhmen, por me siguri ajo nuk do të jetë në një klub gjerman, pavarësisht ka një kontratë, e cila skadon në qershor të vitit 2021.

Përveç “Djallit”, në gjurmët e sulmuesit janë vënë edhe klube të tjera, ndër të cilat edhe Interi. Bavarezët do të kërkojnë të përfitojnë sa më shumë nga shitja e Mylerit dhe e të tjerëve, në mënyrë që të financojnë një pjesë sa më të madhe të fushatës së ardhshme të përforcimeve. Ai është produkt i akademisë dhe shumë i lidhur me klubin, por “pastrimi” që planifikon në Bavari duket se do të prekë edhe djalin e shtëpisë.

KOSTO – Momenti i lamtumirës duket se do të vijë pas rreth 700 ndeshjes me kampionët në fuqi të Gjermanisë, teksa klubi nuk planifikon ta lëshojë pa përfituar të paktën 40 milionë euro. Duke parë mundësitë financiare, drejtuesit e Milanit do të kërkojnë të ulin këtë shifër, madje ekziston edhe një mundësi për të përfshirë në bisedime Davide Kalabrian.

Mbrojtësi ka qenë edhe një vit më parë në listën e dëshirave të Bajernit, e shumë shpejt mund ta gjejë veten në Mynih, duke konkurruar me Benzhamë Pavar për një fanellë titullari. Të qenit në formacion mund të jetë një tjetër shtysë për Myler, për të pranuar “Djallin”, duke qenë se kuqezinjtë së bashku me 5 milionë euro sezonale do t’i garantonin edhe një minutazh të lartë në aspektin sportiv.

Nëse Bajerni fiton këtë vit kampionatin, 30-vjeçari mund të mbyllë raportin me skuadrën ku luan prej një dekade me plot 20 trofe të fituar. Deri në këtë pikë të sezonit, Myler ka regjistruar 41 prezenca me Bajernin në të gjitha kompeticionet, teksa ka kontribuar edhe me 9 gola.//PanoramSport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb