KORÇË

Policia e Korçës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Agjencia” duke zbuluar një skemë trafiku emigrantësh.

Nga strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, pas një hetimi 1-mujor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Agjencia” si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Mirela Dvorani, 46 vjeçe, banuese në Korçë,
Vasjan Dvorani, 25 vjeç, banues në Korçë (djali i 46-vjeçares) i dënuar më parë për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Nevruz Demirllari, 62 vjeç, banues në Tiranë,

Si edhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit: Nazar Dvorani, 59 vjeç, banues në Korçë (bashkëshorti i 46-vjeçares) i dënuar më parë për “Kontrabanda me mallra të tjera”.

Si rezultat i hetimeve të kryera rezulton se, këta shtetas kanë ndihmuar emigrantë të paligjshëm, fillimisht duke i akomoduar në ambientet e hotelit në pronësi të shtetases Mirela Dvorani, në lagjen nr. 9, Korçë, më pas djali i saj me mjetin tip “BMW-X5” në bashkëpunim me shtetasin Nevruz Demirllari, i cili ka në pronësi një autobus transporti udhëtarësh të linjës Korçë-Tiranë, kryenin transportimin e tyre në drejtim të kryeqytetit.

Kundrejt fitimit deri në 100 euro (ku përfshihej akomodimi në hotel dhe transportimi drejt Tiranës) këta shtetas iu premtonin emigrantëve të paligjshëm, kalimin e tyre drejt vendeve të BE-së.

Në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Elbasan, u bë e mundur dokumentimi me prova ligjore edhe i disa ngjarjeve të tjera të kryera gjatë periudhës së hetimit, të aktivitetit kriminal të tyre në këtë fushë.

Gjithashtu nga Drejtoria Rajonale e Hetimit Tatimor, shtetasja M. D., është gjobitur me vlerën 50.000 lekë për punonjës të padeklaruar, të punësuar në hotelin e saj.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim më shumë se 1 herë” e cila dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb