TIRANË

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “ALLIASI”, duke zbuluar një aktivitet ilegal të shitjes së drogave të forta pas një hetimi 5-mujor.

Në pranga ka përfunduar një 40-vjeçar, i cili kishte përshtatur një pikë shitje cigaresh për shitjen e drogave të forta, kundrejt shumës 3500 lekë të rinj për dozë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “ALLIASI”, në kuadër të të cilit bënë ekzekutimin e masës së sigurisë për shtetasin Kreshnik Halilaj, 40 vjeç, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë.

Arrestimi i tij u bë pasi gjatë një hetimi 5-mujor, shërbimet e Policisë bënë të mundur dokumentimin me prova ligjore të veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes të drogave të forta.

Ky shtetas u kap në kushtet e flagrancës në zonën e Alliasit, në një tabachino pranë banesës së tij, ku shiste lëndë narkotike kokainë kundrejt 3500 lekë të rinj për dozë.

Gjatë kontrollit të tabachinos dhe banesës u gjetën dhe u sekuestruan doza me lëndë narkotike kokainë, një armë zjarri pistoletë, shumat 42.000 lekë të rinj dhe 8730 euro, një automjet, një motomjet dhe 7 aparate celular.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: