SHKODËR

Sekuestrohen në Shkodër 200 metër kub lëndë drusore e prerë në mënyrë të paligjshme dhe 8 kamionët që e transportonin. Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër në bashkëpunim me Inspektoratin e Mjedisit (ISHMPUT) vazhdon të ushtrojë kontroll përgjatë gjithë territorit të Qarkut Shkodër, me qëllim parandalimin e prerjes së paligjshme të pyjeve.

Në këtë kuadër, që prej fillimit të muajit shtator po vijon operacioni i përbashkët i koduar “Alpet” mes Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Territorit (ISHMPUT) Qarku Shkodër.

Gjatë operacionit janë kapur edhe 8 automjeteve të ngarkuara me lëndë drusore në fshatin Domen, Njësia Administrative Postribë, Bashkia Shkodër, e cila është siguruar në mënyrë të paligjshme.
Ndaj drejtuesve të kamionëve, ISHMPUT-ja mori masa sipas ligjit duke i ndëshkuar me masa administrative gjoba që variojnë nga 500 000 deri në 1 000 000 lekë për secilin person si dhe u sekuestruan 200 m3 dru zjarri të llojit AH. Operacioni do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.

Më herët, nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër, janë sekuestruar dhe 30 m3 lëndë drusore, janë proceduar penalisht 4 shtetas, si dhe janë proceduar për shpërdorim të detyrës edhe 5 punonjës të ISHMPUT-së të Bashkisë Shkodër e Malësisë së Madhe.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb