FRANCË- “Truri” i sulmeve të 13 nëntorit në Paris, Abdelhamid Abaaoud është vrarë. Lajmi konfirmohet sot zyrtarisht nga prokurorët francezë, të cilët sqarojnë se Abaaoud, ideatori i gjithë masakrës mbeti i vrarë gjatë operacionit blic të policisë franceze, ditën e djeshme.

Washington Post citoi dje burime të inteligjencës kur tha se Abaaoud është vrarë. Lajmi u publikua edhe nga gazeta Belge ‘Derniere Heure’, por vetëm sot ai zyrtarizohet.

OPERACIONI BLIC
Mësohet se tre persona kanë mbetur të vdekur gjatë operacionit për kapjen e të dyshuarve për terrorizëm.

Operacioni është zhvilluar për rreth 7 orë, që në 04:00 të mëngjesit në periferi të Parisit në Saint Denis dhe objektiv ka qenë pikërisht kapja e trurit të atentateve të së premtes, Abdelhamid Abaaoud. Ndërkohë mediat raportojnë se janë arrestuar 8 persona dhe se të plagosur kanë mbetur disa agjentë. Ndërkohë raportohet se një grua kamikaze ka hedhur veten në erë, pak para se policia ta kapte.

Një tjetër trup i pajetë është gjetur brenda apartamentit ku strehoheshin terroristët në Saint-Denis, kundër të cilëve nisi që në orët e para të mëngjesit një operacion blic i forcave speciale franceze. Lajmi bëhet i ditur nga burime policore, ndërsa në total numri i të vdekurve shkon në 3 persona.

Mësohet se grupi terrorist i goditur sot në lagjen Saint Denis do kryente dy sulme të tjera terroriste. Lajmi bëhet i ditur nga “France 2”, sipas së cilës ky grup do sulmonte aeroportin “Charles de Gaulle” dhe një qendër tregtare.

Të paktën 15 persona, përfshi gra dhe fëmijë janë evakuuar nga një ndërtesë në zonën e operacionit anti-terrorizëm. Policia ka identifikuar një apartament që përdoroj si bazë nga terroristët e dyshuar në Saint-Denis, tha zëdhënësi i policisë Jean-Alphonse Richard për RTL, duke shtuar se i dyshuari i nëntë, i sulmeve të Parisit dhe bashkëpunëtorët e tij ishin në shënjestër të kësaj bastisjeje. Zëdhënësi i policisë shtoi se të paktën tre oficerë janë plagosur dhe janë arrestuar 7 persona.

Të dyshuar të tjerë thuhet se janë izoluar në një apartament. Gjithashtu mediat franceze shkruajnë edhe për një banor të vrarë por kjo ende nuk është zyrtare. Policia u ka kërkuar banorëve të kësaj zone të mos dalin nga shtëpitë e tyre.

Franca ështe ende në një atmosferë terrori dhe paniku pas sulmeve të 13 nëntorit ku mbetën të vrarë 129 persona dhe 3 të tjerë të plagosur rëndë humbën jetën në spital. Për shkak të alarmeve për bombë, Air France ka devijuar dy fluturime.

JA MOMENTI KUR SHPËRTHEN GRUAJA KAMIKAZE
Televizioni “Tf1” ka publikuar një video amatore, që tregon momentin kur forcat speciale franceze ndërhyjnë në Saint Denis, në kërkim të terroristëve përgjegjës për sulmet e 13 nëntorit në Paris. Në video dëgjohen thirrjet e policisë dhe më pas shpërthimi i gruas kamikaze, e identifikuar si Hasna Aitboulahcen, kushërira e terroristit Abaaoud, i konsideruar si “truri” i sulmeve të përgjakshme.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: