TIRANË

Finalizohet operacioni policor i koduar “Bulevardi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2.

Sekuestrohen lëndë e dyshuar narkotike kokainë dhe një peshore elektronike. Vihet në pranga poseduesi i tyre.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara në rrugë operative, se një shtetas posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike kokainë, në zona të ndryshme të Tiranës, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Bulevardi”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– V. H., 27 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë lokalizuar dhe arrestuar në flagrancë shtetasin V. H., të cilit, gjatë kontrollit fizik, i kanë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe një peshore elektronike.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike kokainë, e ndante atë në porcione të vogla, të cilat i shiste më pas, në zona të ndryshme të Tiranës.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të kryer nga ky shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb