TIRANË- Nisin aplikimet për të qenë pjesë e Task Forcës Speciale Qëndrore dhe Vendore, në kuadër të operacionit “FORCA E LIGJIT”, beri te ditur sot Policia e Shtetit.

Në një postim në faqen e saj, Policia e Shtetit shprehet: “Me qëllim përzgjedhjen e kapaciteteve më të mira të Policisë së Shtetit për të qenë pjesë e këtyre Task Forcave, si dhe në kuadër të transparencës, njoftohen punonjësit e policisë të interesuar të kandidojnë për specialist hetimi pranë Task Forcës Speciale Qendrore dhe Vendore, që brenda datës 30 dhjetor 2017, të shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Departamentit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Bulevardi “Bajram Curri”, Tiranë”.

Po ashtu, Policia e Shtetit shpjegon se “Krahas kërkesës me shkrim, të interesuarit duhet të bashkëngjisin dokumentet e mëposhtme: Jetëshkrimin e përditësuar, pozicionet dhe detyrat që ka pasur CV. Vlerësimin e punës nga Titullari i Institucionit”.

Kandidati i interesuar duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme: Të ketë punuar në strukturat qendrore apo vendore kundër drogës, trafiqeve, krimet e rënda dhe krimit ekonomik për të paktën 3 vjet. Të jetë trajnuar për aspektet e veçanta të hetimit të veprave penale në këto fusha.Të ketë integritet dhe përkushtim. Të ketë pasur rezultate konkrete në punë dhe të rezultojë i suksesshëm në hetimet e ndjekura. Të mos jetë nën efektin e ndonjë mase disiplinore.

“Kandidatët preferohen: Të kenë mbaruar studimet në drejtësi, bachelor ose master në drejtësi. Të zotërojë gjuhë të huaj anglisht. Shprehja e interesit dhe dokumentet shoqëruese duhet të dërgohen: në adresën elektronike: [email protected], si dhe në adresën postare: Departamenti për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Bulevardi ‘Bajram Curri’, Tiranë”, thuhet në njoftimin e Policise se Shtetit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb