Uniforma të shumta policie kanë mësyrë mbrëmjen e djeshme në të gjitha baret e restorantet e qytetit për t’i mbyllur ato pas orës 23:00. Në mbështetje të policisë në këtë aksion kanë qenë policia bashkiake dhe inspektorët e Drejtorisë së Higjienës, që kanë kontrolluar edhe zbatimin e protokolleve të sigurisë në këto biznese.

E ndërsa pjesa më e madhe e bareve e restoranteve i është bindur urdhrit të policisë për mbylljen pas orës 23:00,pronarët e bizneseve përgjatë Pedonales së qytetit jo vetëm që nuk kanë pranuar mbylljen por edhe janë konfliktuar verbalisht me forcat e policisë.

Pronarët e këtyre bizneseve i kanë kërkuar policisë një urdhër me shkrim për mbylljen pas orës 23:00, duke deklaruar se nuk do ti binden policisë sa herë që ju kërkon gojarisht të mbyllin biznesin. Pasi kanë deklaruar se, nëse vazhdohet kështu duke frikësuar bizneset ata do të falimentojnë, të gjitha baret dhe restorantet përgjatë Pedonales së qytetit nuk kanë pranuar të mbyllen dhe të largojnë klientët që edhe në atë orë ishin të shumtë.

Kjo mosbindje u ka kushtuar shtrenjtë disa bizneseve që mësohet se janë gjobitur nga policia, ndërkohë që nga ana e policisë nuk bëhet i ditur numri i bizneseve të gjobitura, masa e gjobës dhe arsyeja e ndëshkimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: