LUSHNJË- Policia e Lushnjës ka vënë në pranga dy të rinj që kanë tentuar të vjedhin me armë dy persona të tjerë, ndërkohë që rezultojnë përsëritës të kësaj vepre penale. Sipas të dhënave zyrtare në sajë të operacionit “Hijet”, janë arrestuar shtetasit Aurel Çuçi, 23 vjeç, banues në Fiershegan Lushnje dhe Zaim Çili , 28 vjeç, banues në Barbullinjë, Lushnje.

Të dy këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin në datën 2 shtator dhe 8 shtator, në aksin rrugor Fiershegan-Allkaj, Lushnje, në përdorim të armëve të zjarrit kanë tentuar të vjedhin shtetasit U.V dhe N.K.

Gjatë ndjekjes dhe verifikimit të të dhënave policore, të harmonizuara me veprime procedurale rezultoi se dy shtetasit e mësipërm janë autorë të dy vjedhjeve me armë në bashkëpunim të ngelura në tentativë të automjeteve të shtetasve U.V dhe N.K.

Për të dy rastet janë kryer veprimet procedurale dhe materialet do t’i kalojnë për hetime të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, për veprën penale “Vjedhje me armë  e kryer në bashkëpunim”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: