Ministrja Olta Xhaçka i përgjigjet akuzave të opozitës duke thënë se operacioni humanitar po ndihmon 600 mijë familje shqiptare dhe po punon 24 orë.

Xhaçka fton opozitën që të ndihmojë në luftën kundër koronavirusit dhe madje i siguron se do jetë ajo që do i sigurojë të gjitha mjetet mbrojtëse të nevojshme.

Ajo gjithashtu e quan rast unik se si një parti opozitare që pretendon të jetë alternativë qeverisëse e sheh uljen e kurbës dhe gjestet e solidaritetit si një disfatë politike dhe hedhin helm dhe shpifje duke bërë panik në këtë situatë në luftë kundër koronavirusit.

Deklaratë për median

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka

2 prill 2020

Të dashur miq,

Kam dëgjuar këto dy ditë akuzat e opozitës në adresë të ministrisë që drejtoj mbi blerjen e disa mallrave ushqimore për Rezervat e shtetit, jetike për situatën e emergjencës që po kalon vendi. Nuk do kisha dashur të fokusohesha asnjë minutë nga puna që bëjmë për të sqaruar shpifësit e rradhës, por më duhet ta them që jam e habitur, madje e trishtuar për nivelin, në të cilin ka degraduar opozita e “Babaleve”.

Sot në mes të një lufte dhe përballë një armiku që po na rrezikon të gjithëve, ka njerëz, si këta regjizorët e “Babales” që kanë luksin të merren me inskenime të ulëta me qëllimin e vetëm përhapjen e panikut dhe hedhjen baltë mbi një operacion humanitar, që ndodh 24 në 24, që nga dita e parë e emergjencës, i paprecedentë për ne e për vende më të zhvilluara nga ne, i cili po u vjen në ndihmë mbi 600.000 familjeve e qytetarëve në nevojë nëçdo cep të Shqipërisë.

Fakti që këto akuza të pavërteta vijnë ekzaktësisht në këtë kohë e bëjnë edhe më të turpshme këtë sjellje të ulët të këtyre opozitarëve të pashpresë.

Besoj që është një rast unik në botë, që në një periudhë të paprecedentë emergjence botërore, kur një parti opozitare, që deri pak vite më parë ka qenë në krye të punëve të vendit, e që pretendon të jetë alternativë qeverisëse, jo vetëm që nuk tregon solidaritet, jo vetëm që nuk na bashkohet të na ndihmojë, por përpiqet në mënyrë aktive të sabotojë duke përhapur panik, duke hedhur lloj-lloj shpifjesh e akuzash nga të më çmendurat.

I keni dëgjuar besoj? Kryeministri ka bërë koalicion me koronën, i keni mbyllur njerëzit brenda sepse jeni autoritarë, s’ka bukë, s’ka pajisje, çuat mjekë e infermierë të paçertifikuar në Itali, e sa e sa të tjera si këto. Nuk e di. Sinqerisht nuk arrij dot ta kuptoj sesi mund të kenë aq shumë helm e ligësi brenda vetes sa ta përjetojnë si humbje personale e ta vuajnë si disfatë politike faktin që deri më sot ia kemi dalë ta mbajmë kurbën e infeksioneve të ulët, faktin qe po u gjendemi 600.000 familjeve e qytetarëve, apo faktin që ata 30 mjekë e infermierë na bënë të ndihemi aq krenarë në sytë e të gjithë botës.

E kuptoj që s’bëjnë gjë për të ndihmuar. E kuptoj që asnjë nga këta zotërinjtë nuk ka marrë mundimin të vijë të çojë një qese me ushqime a ilaçe tek një pensionist. E kuptoj edhe që të vetmit doktorë në këtë vend që s’po lëvizin as gishtin për të ndihmuar, kur kolegët e tyre po përballen me infeksionin në vijën e parë të frontit, janë doktorët politikanë të opozites. Por kjo është zgjedhja dhe turpi i tyre.

Por që të jenë aq të papërgjegjshëm e aq të pamoralshëm sa fitoren e kësaj lufte ta shohin si fitore të qeverisë e të sulen me të gjitha bateritë e shpifjes e baltës për të sabotuar rezistencën ndaj epidemise nga frika se mos fiton pikë qeveria, kjo është kriminale.

Ne jemi çdo ditë në krye të organizimit për të mbështetur familjet e qytetarët në nevojë. Prindër jemi edhe ne, fëmijë kemi edhe ne, edhe ne merakosemi për shëndetin e tyre e tonin dhe do donim të rrinim të sigurt në shtëpi, t’i ndiqnim gjërat nga televizori e t’i komentonim nga facebook-u. Por jemi në punë! Na është ngarkuar një detyrë dhe po e bëjmë.Me shumë modesti se nuk po bëjmë asnjë heroizëm.Bashkë me 20.000 burra e gra, djem e vajza të angazhuar në këtë operacion të madh solidariteti po bëjmë detyrën që asnjë qytetar mos mbetet pa ndihmën dhe mbështetjen që i takon.

Ama është e tepërt që në një situatë si kjo, përveç se duhet të ruhesh nga Covidi të të duhet të përballesh edhe me “Babalet” me shokë në këtë nivel papërgjegjshmërie dhe ligësie.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb