Një operacion i gjerë i ndërmarrë pasditen e djeshme nga Policia e Shtetit në Shijak dhe Durrës ka çuar në pranga disa persona, emra të njohur, të cilët akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike.

“BalkanWeb” ka raportuar përgjatë gjithë ditës dje aksionet e policisë dhe arrestimet e disa personazheve të njohura.

Kështu dje u arrestua në Shijak Flamur Avdyli, emigrant prej vitesh në Gjermani, vëllai i Astrit Avdylit, i dënuar për vrasjen e Durim Kusit.

Burimet thanë se të arrestuar janë vëllezërit Astrit Avdyli, që është koka e grupit të dyshuar kriminal, Flamur Avdyli dhe Shkëlqim Avdyli. Gjithashtu është arrestuar edhe kushëriri i tyre Jasim Avdyli, së bashku me shtetasin H. Hoxha, të dënuar në Turqi për trafik heroine. Flamur Avdyli është emigrant prej vitesh në Gjermani, ndërsa akuzohet për trafik heroine atje dhe disa vende të tjera të Bashkimit Europian.

Por me gjithë masat e policisë prangave i ka shpëtuar një personazh mjaft i përfolur.

Në kuadër të këtij aksioni është kërkuar dhe arrestimi i Lul Berishës, por gjatë kontrollit në banesë ai nuk është gjetur. Nga verifikimet e bëra Lul Berisha rezulton se ndodhet jashtë Shqipërisë së bashku me familjen.

Sipas të dhënave, hetimi ndaj Lul Berishës i përket së njëjtës dosje me atë të të fortëve të Shijakut.
Policia e Shtetit ndërhyri duke goditur familjen Avdyli në Shijak dhe arrestuar tre vëllezër dhe kushëririn e parë të tyre. Gjithashtu janë shoqëruar edhe 20 anëtarë të bandës që akuzohet për trafik heroine në Shqipëri dhe në Gjermani.

Në emër të vëllezërve Avdyli janë të regjistruara dhjetëra biznese, mes tyre hoteli luksoz në Durrës “Germany”. Sipas informacioneve nga Policia e Shtetit, operacioni nisi pas përgjimeve dhe të dhënave që janë sjellë nga Gjermania.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb