Pas vizitave në spital, tre fëmijët filluan mjekimet. Mjeku austriak dr. Klaus Boheim tregon për emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” në News24 se i pari që do të hyjë në operacion është Rubini.

“Deri tani kam parë tre fëmijë, njëri prej fëmijëve Rubini është gati për operacionin nesër, gjithçka është në rregull. Djali tjetër Sokoli, është një rast i vështirë”.

Mjeku austriak ka sqaruar situatën e Sokolit ku thotë se djalit i mungon nervi koklear që në lindje për te cilin mjeku tha se do te konsultohej në Austri me koleget e tij më të njohur të fushës.

https://youtu.be/0AzUYxc7FTk

“Fëmija tjetër Sokoli, është një rast i vështirë sepse në ekzaminimet e rëndësishme që i bëmë, skanerat dhe rezonancat specifike, vumë re që kishte një keqformim shumë të rëndë dhe me shumë mundësi i mungon nervi koklear, nervi i dëgjimit, në të dy veshët. Për të bërë këtë ndërhyrje kemi nevojë që të gjejmë nervin koklear për të stimuluar trurin më tej.
Këtë rast unë do ta diskutoj me kolegët e mi në Austri dhe shpresojmë që të gjejmë një zgjidhje tjetër përveç implantit, ose të zbulojmë të paktën nëse ai mund të përfitojë nga implanti koklear. Ky është një defekt i lindur i tij”.

Sa i takon Endisit, mjeku austriak tregon se djali ka mish të huaj në veshin e mesëm kështu që ka nevojë për trajtim paraprak për t’i vendosur implantin koklear pas 6 javësh.
“Fëmija tjetër (Endisi) që sapo e pamë tani, është një fëmijë shumë i mirë, por ka adenotomi (mish të huaj në veshin e mesëm) kështu që ai nuk do të mund të operohet nesër”.
“Nuk mund të operojmë në vesh të inflamuar, kështu që do t’i bëjmë një trajtim paraprak, të cilin do ta bëjmë këtu, në Spitalin Amerikan dhe pasi të shërohet do të vazhdojmë më implantin koklear, pas 6 javësh”.

Por kur do të rikuperohen tre fëmijët?
Mjeku austriak thotë se pas operacioneve përkatëse duhet të presim rreth 4-6 jave, deri sa procesi i postoperimit të ndodhë plotësisht dhe që fëmijët të shërohen.

“Pastaj do të bëjmë testin e implantit koklear, të cilin e bën doktor Arvenoli edhe ai pastaj do të gjejë se si axhustohet apo se si kalibrohet që fëmija të këtë përfitimin maksimal.
Fëmijët do të fillojnë të dëgjojnë nga fillimi, por nuk do të flasin dot nga fillimi, sepse i duhet që të njohin dhe të mësohen me zhurmat dhe me zërin për ta kthyer atë në të folur. Sa më i vogël të jetë fëmija, aq më mirë është. Në moshën që janë këta fëmijë rreth 5 dhe nuk kanë dëgjuar deri tani dhe nuk e dinë si është zëri, si dëgjohet zhurma, fjalët, duhet t’i ndihmosh ata, duhet të bëjnë një trajnim dhe trajtim me logopedin në mënyrë të vazhdueshme, duhet dhe shumë devotshmëri dhe vullnet nga familjarët e vet, veçanërisht nga mamaja dhe sigurisht nga doktor Arvenoli që do të bëjë rehabilitimin logopedik. Është shumë e rëndësishme të kesh një ekip. Kjo nuk është shfaqje e një njeriu të vetëm.
Kam dy asistentë këtu, për të mbledhur pacientët. Kjo është doktoreshë Emirjona, mjeke ORL, e cila bën pjesën klinike dhe doktor Arvenoli që bën pjesën audiologjike, ndërsa unë bëj kirurgjinë”, u shpreh mjeku austriak.

Pas operacionit të Rubinit, doktor Boheim tha se djali ka shans të mirë të dëgjojë dhe të mësojë më pas të flasë.

“Gjithçka është në rregull. Operacioni shkoi mirë. E bëmë hap pas hapi, me devotshmëri dhe saktësi të lartë dhe nuk pati komplikacione. Elektroda është plotësisht brenda kështu që ai ka një shans të mirë që të dëgjojë dhe të mësojë të flasë.
Këtu është doktor Arvenoli që do të bëjë rehabilitimin, ne kemi një skuadër të mirë. Operacioni është një gjë dhe rehabilitimi pas operimit është një tjetër gjë dhe që të dyja janë shumë të rëndësishme”.

Mjeku austriak dr. Klaus Boheim nuk harron të falënderojë fondacionin “Firdeues” për ndihmën që u jep familjeve në nevojë.

“Faleminderit fondacionit që ndihmon komunitetin në Shqipëri dhe që bëri të mundur që fëmija të ketë një shans për të dëgjuar dhe folur”.

Tashmë operacioni i Rubinit doli me sukses, Endisit i duhet të bëjë dy ndërhyrje pasi kishte Adenotomi (mish i huaj) dhe Tymanocenteze biletarale (pastrim i veshit të mesëm) e më pas do të rihyjë në operacionin e vendosjes së implantit koklear.
Endisi ka nevoje për një ndërhyrje tjetër, ndërsa Sokolin përveç konsultave në Vjen do ta çojmë që t’i ribëje edhe një here analizat të gjitha nga e para në Austri me stafin mjekësor më të mirë në botë për vendosjen e implantit koklear”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb