VLORË- Në ditën e pestë të operacionit të ndërmarrë nga qeveria kundër informalitetit në ekonomi, kryeministri Edi Rama ka udhëtuar drejt Vlorës, ku ka pasur një takim me drejtuesit tatimorë të këtij qyteti.

Takimi është zhvilluar në orët e para të mëngjesit në një nga lokalet e njohura të Vlorës dhe ka zgjatur përreth 40 minuta. Bashkë me Ramën ishte edhe drejtoresha e Tatimeve, Briseida Shehaj, ndërsa aksioni i nisur ka qenë tema e takimit.

Operacioni kundër informalitetit dhe evazionit fiskal, i cili vazhdon prej një jave në të gjithë vendin, do të shtrihet jo vetëm në luftimin e tij në veprimtarinë ekonomike dhe tregtare, por edhe brenda vetë administratës fiskale. Në takimin që zhvilloi sot në Vlorë me drejtues të institucioneve të angazhuara në të, administrata tatimore, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Inspektorati i Punës dhe Inspektori Shëndetësor, Kryeministri Edi Rama kërkoi angazhim maksimal, profesionalizëm dhe ndershmëri nga administrata fiskale për suksesin e këtij operacioni, një operacion frontal, siç e nënvizoi Kryeministri, kundër informalitetit në çdo aspekt. 

 

“Është një operacion që vjen si një domosdoshmëri, pas një periudhe të parë ku janë hedhur hapa të rëndësishëm në luftën kundër informalitetit. Por, sikundër flasin qartësisht edhe radhët e gjata të kësaj periudhe të fundit në QKR, kanë qenë hapa të pamjaftueshëm, që kanë sjellë domosdoshmërinë e këtij operacioni frontal në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Dhe, që të jemi të drejtë deri në fund, informaliteti nuk është një sëmundje jashtë sistemit të tatimeve, të doganave apo të agjencive të tjera që janë këtu të pranishme. Është një sëmundje që ka prekur prej shumë vitesh edhe këtë sistem, edhe këto trupa dhe ashtu si me lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike, edhe me veprimtarinë  e paligjshme ekonomike dhe tregtare, operacioni ka dy anë të medaljes; Përpjekjen e përditshme për të shkulur metastazat e këtij kanceri në rrjetin e veprimtarisë ekonomike dhe tregtare dhe në trupën e tatimorëve, të doganierëve dhe të inspektorëve të agjencive të tjera”, tha ai.

“Revolucion ekonomik”, e cilësoi më tej Kryeministri, operacionin e nisur, që jo vetëm formalizon ekonominë, por garanton edhe fitimin e ligjshëm të biznesit të ndershëm, si dhe mbron konsumatorin. Kryeministri lajmëroi fuqizimin e masave ligjore kundër të gjithë atyre që i bëhen pengesë këtij procesi.

“Ky është një revolucion ekonomik dhe ju e kuptoni këtë, shumë mirë. Formalizimi i ekonomisë, dhënie e kujtdo, atë që i takon, fitimi i ligjshëm i cilitdo që bën sukses në veprimtarinë e tij ekonomike, apo që mban familjen e  vet në punë me një biznes të vogël është domosdoshmëri që të mbrohet me çdo kusht nga shteti. Ndërkohë që, nga ana tjetër, çdo qindarkë që i takon qytetarëve në formë investimesh, ulje taksash dhe shërbimesh më të mira do të shkojë në arkën e shtetit. Kush del ndesh dhe kush i bëhet pengesë këtij procesi historik do të marrë ndëshkimin që parashikon ligji dhe që do të parashikojë edhe më qartë, edhe më ashpër, ligji, pas miratimit të kësaj pakete ndëshkimesh për informalitetin.”

Pas takimit kryeministri Rama, Shehaj dhe Drejtoresha Rajonale e Tatimeve Vlorë, Pranvera Resulaj, kanë zhvilluar një vizitë në një supermarket të qytetit. Drejtoresha e Tatimeve Vlorë, Pranvera Resulaj, tha për mediat se aktualisht në terren janë 44 grupe pune, në kuadër të aksionit kundër informalitetit.

Resulaj shtoi se, Vlora ka probleme dhe kjo vizitë e kryeministrit dhe Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve dëshmon mbështetjen e madhe që ky aksion ka nga strukturat e qeverisë në mbrojtje të biznesit taksapagues dhe konsumatorit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: