LEZHË- Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 55-vjeçar nga Kosova që kishte ngritur një biznes në Shëngjin të tregtimit të produkteve të mishit si dhe një punishte në Tiranë që është mbyllur nga AKU. Policia ka sekuestruar 528 kg produkte mishi gjatë operacionit të koduar “Rotten meat” (mishi i kalbur).

Sipas të dhënave zyrtare, kosovari tregtonte në Shëngjin, në mënyrë të kundraligjshme jashtë kushteve të sigurisë ushqimore, duke rrezikuar shëndetin e konsumatorëve. Pamjet janë vërtetë të rënda, ndërsa mungon tërësisht higjiena dhe kushtet optimale.

Nga efektivët e Seksionit për hetimin e krimit ekonomik – financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, pas një pune të mirëfilltë hetimore ndjekur me metoda proaktive, u finalizua operacioni “Rotten meat”.

Si rezultat i tij, u arrestua në flagrancë shtetasi Arsim Çurdina, 55 vjeç, banues  Kosovë.
Ky shtetas, në qytetin e Shëngjinit, me mjetin e tij, është kapur duke tregtuar në disa lokale një sasi prej 528 kg produkte mishi, të prodhuara në mënyrë të kundraligjshme në një ambient në Tiranë jashtë kushteve të sigurisë ushqimore, duke rrezikuar shëndetin e konsumatorëve, produkt të cilin, ia shiste restoranteve dhe “Fast Food-ve”  në Shëngjin, si dhe pa faturë tatimore duke fshehur të ardhurat.

Vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal, për të gjithë subjektet tregtare dhe personat e përfshirë.

Veprat penale në ngarkim të tij “Fshehja e të ardhurave” “Prodhim dhe shitja e ushqimeve e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin”, “Manipulimi i tregut” dhe “Punësim i paligjshëm” parashikuar nga nenet 180/1, 288, 143/a/1 dhe 170/a të Kodit Penal.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb