TIRANË

Finalizohet operacioni policor i koduar “Pararoja”, arrestohen 3 shtetas që u kapën në flagrancë duke transportuar 3 emigrantë të paligjshëm.

Gazetarja Dorjana Bezat raoprton për “BalkanWeb” se të arrestuar janë shtetasit Isuf Durmishllari, Andrea Veisi dhe Joana Sageri.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, transportonin emigrantë të paligjshëm, nga Devolli drejt Tiranës dhe më pas në drejtim të Kukësit, me qëllim kalimin në vendet fqinje, me destinacion final vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan operacionin “Pararoja”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– I. D., 25 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”;
– A. V., 22 vjeç dhe J. S., 20 vjeçe.

Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë, në hyrje të Tiranës, duke transportuar 3 emigrantë, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt shpërblimit monetar.

Shtetasi A. V. bënte transportin e emigrantëve, me një automjet “Mercedes Benz”, ndërsa shtetasi I. D. dhe shtetasja J. S. qarkullonin me një mjet tjetër përpara shtetasit A. V., për ta informuar atë nëse kishte shërbime policore.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht dhe 3 shtetasit e huaj, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në të.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb