TIRANE- Të gjithë ata që do abuzojnë me çmimin e karburantit do të përballen me masa shtrënguese. Këtë e ka deklaruar kryeministri Edi Rama ditën e sotme gjatë lançimit të operacionit të tretë më të rëndësishëm në vend, atë kundër vjedhjes dhe mashtrimit në sektorin e hidrokarbureve. Duke u shprehur se ky operacion do t’i japë fund abuzimit me pasuritë e vendit dhe mashtrimit të qytetarëve për çmimin e naftës, kryeministri Rama tha se do të veprohet ashtu si edhe në aksionin kundër vjedhjes së energjisë.

“Para pak se të vija këtu isha në Panairin e Punës dhe e mbylla fjalën time me një shprehje që dëshiroj të filloj këtë fjalë, një shprehje të Shën Franceskut, që thotë “bëj atë çka është e nevojshme që të bësh atë që është e mundur, dhe atëherë do të bësh edhe atë që është e pamundur”. Pra çfarë kemi bërë deri më sot, e çfarë do bëjmë më tej me nisjen e këtij operacioni kundër grabitësve të pasurisë kombëtare, dhe kundër mashtruesve të qytetarëve tanë.

Këto operacione janë pjesë e planit tonë për të çuar më tutje një proces që pasoi natyrshëm ndaljen e hemorragjisë që ishte pjesa më e parë e mandatit tonë qeverisës. Ne e gjetëm vendin si një trup të shtrirë përtokë që pikonte gjak nga çdo organ vital. Nuk ka një sektor të jetës së vendit tonë ku mund të thuhet se 18 muaj në vend gjendja nuk ishte hemorragjike. Sektori i energjisë që është dhe zemra e ekonomisë së një vendi, ishte shëmbëlltyra me kuptim plotë e kësaj hemorragjie asfiksuese. Njësoj si bëmë për energjinë elektrike, ku fillimisht u angazhuam për të ndalur hemorragjinë dhe pastaj filluam operacionin që vazhdon e do të vazhdojë deri kur i gjithë organizmi të jetë gati për t’u vënë në lëvizje të plotë e në funksion të konsumatorit, po bëjmë edhe sot me naftën”, tha kryeministri Rama.

RAMA: NË 18 MUAJ SHËNUAM KTHESË E ARRITJE NË SEKTORIN E HIDROKARBUREVE
Kreu i qeverisë u ndal edhe tek arritjet e deritanishme në tregun e hidrokarbureve në 18 muaj qeverisje. Sipas Ramës në 2014 dhe në vijim janë rritur të ardhurat nga renta minerare dhe nga marrëveshjet hidrokarbure. Kryeministri tha se rritje ka shënuar edhe prodhimi i naftës në vend.

“Në radhë të parë kemi marrë masat që të kemi në dorë instrumentat e nevojshëm për të qenë në gjendje që hemorragjia të ndalet. Instrumentat kanë qenë të atypëratyshëm, instrumenta kontrolli, veprimi të menjëhershëm, ndalimi dhe ndëshkimi, por edhe instrumenta për procesin afatgjatë të natyrë administrative. Sot falë këtij plani të qartë ne kemi një bazë ligjore mbi të cilën mund të thellojmë më tutje me këtë operacion që sapo kemi nisur.

Gjatë 2014 u shënua momenti i kthesës, por nuk është kryer kthesa, ka filluar. U rrit prodhimi i naftës bruto në vend. U prodhua më shumë, u përpunuar më shumë në raport me 2013. Parashikojmë dyfishim këtë vit. U rrit fitimi nga pagesa e rentës minerare. nga marrëveshjet hidrokarbure në fushën e kërkimit u arkëtuan 200 mln dollarë. Këto janë shifra të cilat ishin të paimagjinueshme para 2014-ës. 7 kompani kanë investuar rreth 300 mln dollarë në sektor, por sot ne falë këtij procesi të këtyre 18 muajve të parë të qeverisjes kemi bërë një analizë të thellë të sektorit”, theksoi kryeministri.

Numri një i Qeverisë theksoi ndër të tjera se 75 subjekte janë bllokuar, por kjo është shumë pak tha Rama.

“Janë vendosur 60 për qind më shumë gjoba për ata që tregtojnë naftën, janë bllokuar 75 subjekte, por është shumë pak. Dhe kjo na ka sjellë për të bërë atë që bëmë. Në fundin e viti të shkuar, duke e nisur nga kjo sallë me sektorin e energjisë, pasi jemi në fillimin e një kthese. OSHEE nuk është më një kompani që merr para nga buxheti për të ndenjur në këmbë. Ndenja në këmbë e ngarkon me të ardhurat e veta. Ne nuk duam që ajo të rri në këmbë dhe të kthehet nga një bandë e organizuar me sfond politikë ku parkoheshin të gjitha burimet njerëzore të nivelit më të ulët të pushtetit të vjetër, të bëhet me standarde dhe ata që paguanin ta kenë këtë shërbim. Fal asaj mbështetje të madhe për këtë vit, të mbi 300 mijë konsumatorëve në 4 muaj e gjysmë që nënshkruan marrëveshjet dhe pranuan t futen në sistemin e ligjit, jemi në kushtet kur kemi filluar investimet në këtë sektor. Kjo për të rimëkëmbur një rrjet shpërndarje që në 88 për qind të vetën e ka datëlindjen në vitet 70, tamam si një makinë e vjetër. Ata që na e lanë këtë farë makine (OSHEE) na thonë tani që pse nuk e kemi rilindur atë në atë masë që të bëjmë gara në Formula Uno.”, tha Rama.

Pjesë e këtij aksioni do jetë dhe Policia e Shtetit, si në rastin e sektorit të energjisë. “Policia e shtetit do jetë pjesë e këtij operacioni, siç ishte me energjinë, për të garantuar deri në fund se kush kapet në shkelje të ligjit dhe grabitje e mashtrim në kurriz të konsumatorit, të ndëshkohet. Ajo çka rezulton nga deklaratat e importit, përpara se të dal në shitje të jetë e njëjtë dhe të shënjohet. Shumë herë futet hollues, ose ku di unë ça fusin shqiptare, kur duan t’ja fusin tjetrit. Një Mercedez shkatërrohet brenda 3 viteve, ashtu si dhe mushkëritë e shqiptarëve.”, -përfundoi kryeministri Rama.

TAHIRI: LUFTA JONË TA BËJMË SHQIPËRINË MË TË JETUESHME
Ora 13:59- Edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri premtoi angazhimin serioz të Policisë së Shtetit në këtë operacion të tretë të qeverisë, që siç tha ai, do ketë suksesin e dy të tjerëve. Tahiri tha se lufta e qeverisë sot është ta bëjë Shqipërinë më të jetueshme.

“Sot është dita për të kuptuar sa shumë kemi bërë dhe sa shumë duhet për të garantuar dinjitetin njerëzor, për ti dhënë dinjitet dhe mirëqenie çdo qytetari. Ne besojmë sot se duhet të kthejmë dinjitetin nëpërmjet punës dhe mirëqenies. Sot koordinojmë forcat mes shumë institucione për të shëruar një plagë shumëvjeçare siç është vjedhja e pasurisë kombëtare për të mos patur ngjarje si në Marinzë, që po hetohet, duke e bërë tregun e naftës monopol deri tek cilësia e karburantit që nuk prish vetëm makina dhe shkatërron shëndetin e çdo qytetari duke dërrmuar mjedisin. Lufta jonë ta bëjmë Shqipërinë më të pastër dhe më të jetueshme”.

Më tej Tahiri tha se, “Nuk ka abuzim më të madh se sa ata që përdorin varfërinë për të bërë politikën e ditës”.

Ai premtoi “Ti shkojmë paligjshmërisë deri në rrënjë, të çmontojmë skemat e konsoliduara që nëpërmjet mashtrimit, evazionit, monopolit e cilësisë skandaloze kanë dëmtuar rëndë situatën në këtë vend. Do ketë nga ata që do ngrenë zërin dhe të thonë polica të mos merret me ketë se paskërka punë më të mëdha, unë po ju them se falë këtyre angazhimeve nga janari deri në 1 Maj 2015 kemi numrin më të vogël të vrasjeve në dy dekadat e fundit”.

OPERACIONI PËR HIDROKARBURET, CANI: DO KONTROLLOJMË TREGUN, TË NDALOJMË EVAZIONIN FISKAL
Ora 13:48- Ministri i Financave Shkëlqim Cani në nisje të prezantimit të operacionit për hidrokarburet tha se edhe institucioni që ai drejton do marrë pjesë në këtë aksion të ri, duke kontrolluar tregun në bashkëpunim me institucionet e tjera.

Duke e vënë theksin tek rëndësia e cilësisë së karburanteve, Cani tha se do ndalohet evazioni fiskal.
“Sot shoqëritë e hidrokarbureve janë fiskalizuar, ose janë në proçes fiskalizmi, do raportojnë sasinë e prodhuar on linë. Ne do ndalojmë futjen në treg të sasive të paligjshme, pra që bëjnë evazion fiskal. Do bëjmë procesin e markimit”, tha Cani ndër të tjera.

Ministri shtoi se, “Kemi fituar përvojë nga operacione të tjera, qoftë për energjinë dhe ndërtimet pa leje.”

Gjiknuri: Masa ndëshkuese për ata që abuzojnë me çmimin e naftës
Ora 13:33- Ministri i Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknur, dha disa nga detajet në lidhje me operacionin e tretë më të rëndësishëm në vend, atë të hidrokarbureve.

Gjiknuri pohoi se deri më tani janë penalizuar 75 subjekte.

“Sfidë e vërtetë për kontrollin. Detyrimet që ka Shqipëria do bëjë të mundur që ky kontroll të jetë i rreftë dhe masat ndëshkuese do jenë të mëdha dhe kudo që do operojë në vend do ta ketë të vështirë, janë penalizuar 75 subjekte deri tani. Pse kërkojmë ti ashpërsojmë më shumë? Kjo është një sfidë më e madhe dhe ky është qëllimi i operacionit. Nga ana tjetër, dua të them diçka për hidrokarburet. Ka pasur probleme për ata që prodhojnë naftë dhe shtetit.”, -tha ministri.

Teksa u ndal tek shpërthimi i puseve të naftës në Marinzë, Gjiknuri pohoi se do nxirren të gjithë përgjegjësit.

“Edhe ngjarja që ndodhi në Marinzë, shteti vepron në kohën e duhur. Bëjmë një investigim të qartë dhe nxjerrim përgjegjësit, dhe kemi marrë masa ndaj kompanisë, me përgjegjësin që i takon asaj. Ne nuk kemi nëpërkëmbur interesat e shtetit. marrëveshjet e hidrokarbureve kanë klauzola sekrete dhe jo të gjithë mund të dalin në publik, por auditimet janë bërë më shumë se këto 10 vite. Për një gjë ju garantojmë se me ato auditimet po i shkojmë çështjeve deri në fund. Nuk do mbyllim sytë për publikun. Operacion shumëdimensional të gjitha institucionet bashkë nën një qendër koordinimi, që të kemi rezultate si tek energjia elektrikë”, -tha gjatë fjalës së tij ministri Gjiknuri.

(ma.ar/ed.me/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: