KORÇË

Kapen duke transportuar 26 emigrantë të paligjshëm, me një mjet pa leje drejtimi, arrestohen dy persona në Korçë.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve P. M., 17 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Maliq; K. R., 24 vjeç, banues në Korçë, si edhe u shpall në kërkim shtetasi R. Ç., 24 vjeç, banues në Maliq.

Shërbimet e Policisë, kanë kapur në vendin e quajtur “Ura e Drithasit”, në Maliq, mjetin furgon tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin P. M., i cili kundrejt shpërblimit po transportonte në drejtim të Tiranës, 26 emigrantë të paligjshëm. Nga kontrolli i dokumentacionit të 17-vjeçarit, rezultoi se ai drejtonte mjetin pa leje drejtimi.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, dyshohet që shtetasit K. R.,(i arrestuar) dhe R. Ç., (i shpallur në kërkim) ishin bashkëpunëtorët e shtetasit P. M., në këtë veprimtari të paligjshme.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb