KORÇË

Policia e Korçës ka goditur një rast tjetër në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit duke arrestuar dy persona nga Tirana.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Komisariatin e Policisë Devoll në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit E. SH., 36 vjeç dhe K. M., 18 vjeç, banues në Tiranë.

Dy shtetasit e mësipërm, u kapën nga forcat policore, mbi fshatin Poloskë, Devoll, duke transportuar me mjetin furgon tip “Benz” tre emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit iu kishin premtuar kalimin e tyre drejt vendeve të BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb