KORÇË

Policia e Korçës ka goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Policinë Rrugore dhe Policinë Kufitare, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit G. D., 44 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë Rrugore në qytetin e Pogradecit, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Ford”, 11 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 1000 euro në total, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Po punohet për vënien përpara përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb