TIRANË- Policia e Shtetit ka nisur një operacion të madh në Dukagjin për asgjësimin e lëndëve narkotike. Në kuadër të operacionit të koduar “Brashta”, policia ka mësyrë që në orët e para të mëngjesit në fshatrat Ndreaj, Brasht, Pylaj, Bob, Vuksanaj dhe Breg Lumi ku ka nisur një operacion masiv për shkatërrimin e parcelave të kultivuara me bimë narkotike.

Në operacion janë përfshirë edhe forcat RENEA, FNSH, si dhe policia e Shkodrës. Bëhet me dije se superoperacioni ka angazhuar në total 450 forca policore dhe 70 automjete.

Operacioni po monitorohet edhe nga drejtuesit e lartë të policisë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako falenderon forcat e policisë për përkushtimin gjatë operacionit që po vijon të zhvillohet që prej mëngjesit të sotëm në Dukagjin.

OPERACIONI, ZBULOHEN BIMË HASHASHI DHE MUNICIONE NË FSHATIN VUKSAN

Ora 21:42- Operacionin anti-kanabis të policisë në zonën e Dukagjinit nuk e ka ndalur as nata. Gjatë kontrolleve në fshatrat e kësaj zone janë zbuluar 1953 bimë kanabis në pronën e 50-vjeçarit Dedë Mosheqaj. Gjithashtu në banesën e 50-vjeçarit u gjet dhe municion luftarak. Mosheqaj nga fshati Vuksan është shpallur në kërkim, ndërsa policia vijon operacionin duke krehur gjithë zonën.

VIJON OPERACIONI ANTI-KANABIS NË DUKAGJIN, ASGJËSOHET 17 890 BIMË

Ora 17:28- Policia e Shtetit vijon operacionin anti-kanabis ne zonën e Dukagjinit. Efektivët e policisë janë shpërndarë në disa fshatra si Vuksanaj, Breg Lumi, Shoshë,  Brashtë ku po asgjësojnë të gjitha bimët narkotike. Operacioni i policisë është shtrirë në tre drejtime ndërsa në terren veprojnë 28 grupe. Deri tani sipas policisë janë asgjësuar 147 parcela me 17890 bimë narkotike, të cilat variojnë nga 60- 240 cm lartësi.

(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: