Kapet dhe ndalohet një tjetër person i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor Vol-Vo 4. BalkanWeb mëson se bëhet fjale per ish-shoferin e ish-kreut te Burgjeve, Arben Çuko. 52 vjeçari u identifikua si Qerim Musha.

Gjykata e Tiranës ka dhënë për të në mungesë masën “arrest me burg” për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Ish shefi i Qerim Mushes, Arben Çuko ra në pranga në kuadër të operacionit “VOL-VO4” në 18 tetor të vitit të kaluar nen të njejtën akuzë. Ai u lirua bashke me Arben Ndoken me 15 nentor 2018, pasi gjykata vendosi te ndryshojë masën nga “arrest me burg”, në “arret shtëpie”.

Emri i Arben Çukos doli në përgjimet e grupit Avdylaj. Çuko akuzohet se në kohën kur ka qenë në krye të Drejtorisë së Burgjeve ka miratuar transferimin e të dënuarit Olsi Karagjozi kundrejt ryshfetit 3.000 euro, si dhe i përfshirë ne biseda me pjesëtarët e grupit të Shijakut.

Arben Ndoka u arrestua pasi rezultonte i përfshirë në një skemë tjetërsimi pronash Shëngjin.

NJOFTIMI I POLICISE
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, kanë bërë kapjen e shtetasit Q. M., 52 vjeç, banues në Tiranë, person i shpallur në kërkim nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në tetor të vitit 2018, në kuadër të operacionit policor Vol-Vo 4.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasin Q. M., pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb