LEZHË

Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Rubiku” me arrestimin e 3 të rinjve dhe sekuestrimin e 15 kg drogë.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike cannabis sativa, nga shërbimet e Policisë Lezhë u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Rubiku”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Ridiogert Doda, 29 vjeç, Renato Nikolli, 20 vjeç dhe Preng Mandreja, 21 vjeç, banues në Lezhë dhe Mirditë.

Shërbimet e Policisë Lezhë kishin marrë informacione se këta shtetas po transportonin lëndë narkotike nga Mirdita në drejtim të Lezhës. Bazuar në këto informacione, në vendin e quajtur “Ura Ushtarake”, në Njësinë Administrative Rubik, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetet e dyshuara, me drejtues shtetasit Preng Mandreja dhe Ridiogert Doda.

Gjatë kontrollit të automjeteve tip “Ford” dhe tip “Nissan”, të drejtuar nga këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe 15 kilogramë e 387 gramë lëndë narkotike cannabis sativa. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit Renato Nikolli, pasagjer në njërin prej mjeteve, shërbimet e Policisë i gjetën një peshore elektronike.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, peshorja elektronike, 3 aparate celular dhe 2 automjete.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb