Janë arrestuar në Francë dhe Gjermani dy truprojat e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Hekuran Marku është arrestuar në Gjermani, ndërsa Paul Deda, në Francë.

Burime për “BalkanWeb” bëjnë të ditur se Prokuroria e Posaçme ka dërguar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e tyre në Shqipëri.

Emrat e dy ish-truprojave dolën në operacionin ndërkombëtar të koduar “Shpirti”, operacion ky që vendosi në pranga biznesmenë, prokurorë dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, të akuzuar si pjesëmarrës në veprimtaritë kriminale të drogës.

Kujtojmë se Deda dhe Marku kanë qenë pjesë e grupit të shoqërimit të Saimir Tahirit, në kohën kur ky i fundit ishte ministër i Brendshëm, në vitet 2014-2016.

Ata akuzohen se në bashkëpunim me 4 italianë dhe një shqiptar të njohur si Eltjon Bregu kanë trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë.

Droga iu është sekuestruar dy të arrestuarve në Bari, Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini. SPAK dyshon se Deda dhe Marku se kultivuan drogë me Bregun dhe tentuan ta trafikonin për tua dorëzuar katër italianëve.

Megjithatë dy ish-truprojat kanë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen. Nëpërmjet avokatit të tyre, ata kanë thënë për “BalkanWeb” se janë të pafajshëm dhe janë përmendur në përgjime, pasi personat e përfshirë duan të implikojnë edhe ata në veprimtaritë kriminale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb